Daci pjesë e 84 proceseve të Vettingut, mes tyre Llalla, Prela dhe Zaganjori, pezullimi “ngrin” 46 çështje

schedule11:44 - 26 Maj, 2020

schedule 11:44 - 26 Maj, 2020

Pezullimi nga detyra i anëtarit të KPA Luan Daci për fshehje të një shkarkimi nga detyra për paaftësi në punë në vitin 1997, ka shkaktuar ngërç në proceset gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

LEXO edhe: DOKUMENTI / Gjyqtari Daci në ’97-ën i shkarkuar për paaftësi, si u fut në organin më të lartë të drejtësisë

Pas interesimit në këtë Kolegj, ABC News mësoi se 46 çështje mbeten të hapura për shkak të pezullimit të gjyqtarit Daci.

Të hënën Kolegji i Posaçëm i Apelimit, bëri të ditur se këto dosje të cilat janë ankimuar si nga Komisioneri Publik ashtu edhe nga vet subjektet e rivlerësimit, nuk do të shqyrtohen deri në daljen e vendimit të  Gjykatës së Posaçme të Apelit, që do të shprehet në lidhje me pezullimin e Luan Dacit.

Ndër dosjet e mbetura pezull është ankimimi nga komisioneri publik i vendimit që konfirmoi në detyrë Manjola Kajanën kandidate për SPAK, vendimi për ish-drejtuesen e prokurorisë për Krime të Rënda Donika Prela, ish-gjyqtaret e gjykatës së Krimeve të Rënda Gurali Brahimllari dhe Luan Hasneziri.

Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, që prej fillimit të procesit të vettingut ka qenë pjesë e 84 proceseve gjyqësore për gjyqtarë dhe prokurorë, ku janë marrë 38 vendime të formës së prerë.

Gjyqtari Daci ka qenë anëtar i trupës së KPA në dy vendimet e vetme pozitive që janë dhënë nga shkalla e dytë e Vettingut, siç janë gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme të Apelit Nertina Kosova dhe Gjyqtari i Gjykatës Administrative Tiranë Gentian Medja.

Por Luan Daci ka qenë pjesë e trupës gjykuese, që kanë dhënë vendimin për emra të njohur të drejtësisë, të cilët janë jashtë sistemit, si ish-kryetar i Kushtetueses, Bashkim Dedja, apo ish-kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla,  dy ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Antoneta Sevdari dhe Besnik Cani.

Ishte ky i fundit ai që kallëzoi në SPAK gjyqtarin Daci.

Nëpërmjet avokatëve të tij gjyqtari i KPA ka bërë ankimim të vendimit të dhënë nga gjyqtarja Danjela Shirka,  që e pezulloi nga funksioni./abcnews.al