Curry shënon 48 pikë në triumfin e vështirë të Golden State

schedule13:58 - 14 Janar, 2019

schedule 13:58 - 14 Janar, 2019

Stephen Curry bëri një paraqitje të madhe për Golden State në fitoren e arritur në fushën e Dallasit. Ylli i kampionëve shënoi 48 pikë në një nga ndeshjet më të bukura të basketbollit amerikan.

Kur ai është i frymëzuar, gjëja më e mirë është t’i japësh topin. Kevin Durant ishte kaq i sigurt në momentin e madh të Stephen Curry, saqë ia ktheu fjalën edhe trajnerit të tij që i sugjeronte që të provonte të gjuante.

“Më mirë të gjuajë Curry”, tha Duranti dhe nuk u gabua.

Ylli shtatshkurtër, me numrin 30 në shpinë, shënoi plot 48 pikë, përfshi edhe 11 kosha nga largësia, duke I dhënë Golden State një fitore tepër të vështirë në fushën e Dallasit. Dueli i NBA-së përfundoi 119-114, me Kërrin që u tregua i saktë që nga fillimi deri në fund, dhe që shtoi edhe 6 topa të kapur në tabela, 5 pasime për kosh, 1 vjedhje topi e dy bllokime gjuajtjesh të rivalëve.

Jo vetëm kaq, por ai nuk e humbi asnjëherë topin gjatë 37 minutave që ishte në parket. Me 11 kosha tripikësh, Curry mbeti vetën 3 realizime larg rekordit të NBA-së, që mbahet nga kapiteni i ekipit të tij, Clay Thompson.

Ai u ndihmua nga Kevin Durant që shënoi 28 pikë, kapi 7 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, ndërsa Thompson shtoi 16 pikë. Kjo formë e Curry e bëri të pavlefshme paraqitjen shumë të mirë të Luka Donçiçit për vendasit, që realizoi 26 pikë, ndërsa Harrison Barns shënoi 22.

Ky sukses bën që Golden State të ketë tani një seri prej 4 fitoresh radhazi, duke qenë në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore. Në 18 Janar, pritet që në formacion të kthehet qendra DeMarcus Cousins, dhe kjo besohet se do t’i bëjë kampionët edhe më të fortë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!