Cungu: Nuk kemi freskinë e duhur, për mua kryesorja është vetëm fitorja

schedule16:22 - 29 Shkurt, 2020

schedule 16:22 - 29 Shkurt, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, foli në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku analizoi fitoren kundër Luftëtarit, falënderoi Rrapon dhe tregoi se freskia e lojtarëve, nuk është e duhura pas kalendarit të ngjeshur.

“Do të ishte mirë që krah lojës së mirë, të shënonim dhe gola. Gjithsesi, jam i lumtur që morëm pikët e plota, pasi pikët janë kryesoret. Unë mendoj se kemi një grup me djem shumë korrektë, që janë shumë seriozë, punojnë shumë mirë në stërvitje, ka harmoni. Por në dy ndeshjet e fundit, nuk kemi qenë shumë të rrjedhshëm. Ndeshjen e Ballshit për Kupë, kundër Kukësit jashtë, kemi bërë ndeshje të shkëlqyera, por jemi mposhtur.

Tani po marrim fitore pa shumë lojë të bukur, por në fund të fundit mua më duhen rezultatet. Lojtarët nuk kanë pasur mundësi pushimi, kanë sakrifikuar maksimalisht. Luajmë prapë të mërkurën, prapë në fundjavë. Nuk kemi freskinë, tensioni dhe stresi është shtuar, kampionati është drejt fundit. Të gjithë këto faktorë, kanë ndikuar që të mos jemi të rrjedhshëm. Nuk ishin ndeshje të lehta as kundër Flamurtarit, as kundër Luftëtarit, iu kanë marrë pikë disa ekipeve. Për sa i përket pozicionit të Rrapos, është jashtë pozicioni të tij.

Rrapo po sakrifikon dhe unë e kam falënderuar publikisht, dua ta falënderoj dhe sot. Për këtë arsye, nuk kishim zgjidhje tjetër në mbrojtësin e majtë, pasi Turkaj ishte i pezulluar. Duke pasur parasysh se është një lojtar i lëvizshëm, inteligjent, nuk kishim mundësi tjetër”, përfundoi Cungu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!