Laçi barazoi një ditë më parë në miqësore me Kastriotin. Kurbinasit kishin lënë pushim Kyrian Nwabueze dhe Aleksandar Ignjatovic, ndërkohë që mungonte edhe Redon Xhixha. Sulmuesi anësor ishte lënë pushim, pasi të premten ishte titullar me Shqipërinë U21 kundër Anglisë.
Gjatë ndeshjes pati edhe një dëmtim. Sulmuesi Renato Spahiu, autori i golit me Kastriotin, la fushën e blertë dhe mbetet të shihet nëse ka diçka serioze për të. Në lidhje me ndeshjen, trajneri Armando Cungu u shpreh se i vlejti shumë atij dhe skuadrës para takimit me Partizanin.
“Ishte një miqësore, që normalisht shërben për të parë gjenden e ekipit dhe mundësitë e lojës për ndeshjen e radhës me Partizanin. Jemi të bindur që është një kundërshtar i fortë, që meriton respekt”, shprehet Cungu, i cili nuk ndalet me kaq.
“Mendoj se edhe Laçi meriton respekt, pasi javët e fundit ka treguar shumë karakter dhe lojëra të mira të shoqëruara edhe me rezultate. Edhe kundër Partizanit shkojmë për të marrë më të mirën e mundshme, pasi kjo duhet të jetë edhe filozofia e një sportisti. Nuk bën përjashtim as kjo ndeshje”, shtoi shkodrani.
Në lidhje me modulin 3-5-2 që Lerda përdor shpesh te Partizani, Cungu në fund tha: “Nuk është gjë e re sistemi i Partizani. Ne duhet të bëjmë lojën tonë. Nëse vazhdojmë me këto lojëra e me këtë ritëm, besoj se do të dalim edhe me objektivin që kërkojmë”. /abcnews.al