Trajneri i Laçit, Armando Cungu, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes kundër Keshla, që do të luhet në Azerbajxhan. Kreu i stolit kurbinas pranoi se ekipi i tij ka shkuar në këtë transfertë të vështirë vetëm për të fituar.
“Jam shumë i lumtur që jam sërish në Kupat e Europës, pasi kam qenë me skuadrën e Kukësit. Jemi disi të lodhur, pasi rruga deri këtu është e gjatë dhe kemi nisur të rikuperohemi. Por, ne jemi këtu dhe do jemi gati për sfidën e nesërme.
A e kam studiuar Keshlan? Sigurisht që e kam studiuar, i dimë disa gjëra për ekipin kundërshtar. Por nuk më pëlqen të flas para ndeshjes se kush janë pikat e forta apo të dobëta të kundërshtarit. Mua më intereson skuadra ime, lojtarët e mi, të luajmë me kokën lart dhe të jemi krenar për gjërat që do të arrijmë.
Fillimisht, unë iu thashë dhe më përpara: Duhet të luajmë me karakter dhe me zemër. Futbolli është futboll, i ka të treja rezultatet, por asnjë në skuadrën tonë, nuk e mendon humbjen. Ne kemi ardhur këtu të fitojmë. Nuk mendoj se do të jetë katastrofë nëse eliminojmë Keshlan, pse të jetë katastrofë? Është normale se të gjithë duan të fitojnë”, u shpreh Cungu./abcnews.al