Cungu: Humbja me Tiranën ishte e rëndë, djemtë reaguan në mënyrë perfekte

schedule19:23 - 21 Janar, 2020

schedule 19:23 - 21 Janar, 2020

Trajneri i Laçit, Armando Cungu, u shpreh shumë i kënaqur me të tijtë pas fitores 0-1 kundër Teutës. Menjëherë pas ndeshjes, numri një i stolit kurbinas foli për Supersport, aty ku preku shumë tema.

NDESHJA – “Është e drejtë, pas dy rezultateve aspak të pritshme në shtëpi kundër Tiranës, ekipi duhej të reagonte, pasi deri në ato momente kishim bërë një kampionat të mirë. Humbëm terren me ato humbje dhe sot ishte detyrim fitorja. Ajo që është më e rëndësishme është mënyra si e fituam ndeshjen”.

ZËVENDËSIMET – “Të them të drejtën është e vështirë të bësh dy zëvendësime shumë të shpejta. Rapo dhe Ignjatovic janë lojtarë të rëndësishme për ne. Megjithatë, dua të komplimentoj djemtë që u aktivizuan, si Gjoni, ashtu dhe Turkaj. Si rezultat i kontributit të gjithë skuadrës, fituam”.

STRESI – “Kur bën dy ndërrime, nuk është e lehtë për një trajner. Përderisa një lojtar futet titullar, i bie që është më mirë se pjesa tjetër në stol. U shtua dhe stresi për ne, pasi 70 e ca minuta lojë ishin për t’u luajtur dhe kishim vetëm një ndërrim. Çdo gjë ndodh në futboll dhe ne ishim të detyruar të bënim ndërrime. Të gjitha minutat më pas ishin stresuese. Falë djemve dhe Zotit, gjithçka shkoi mirë më pas”.

MERKATO – “Pyetja është e drejtë, normalisht duam të përmirësojmë edhe më shumë grupin. Vecaj, Greca përveçse kanë shtuar konkurrencën në ekip, më kanë dhënë mundësinë edhe të bëj ndërrime taktike. Nuk më dhëmb koka për të bërë një lëvizje. Besoj se shton forcën dhe etjen e ekipit për të shkuar edhe më para. Duhet të mendojmë për çdo ndeshje, pasi ky ekip i ka të gjitha potencialet për të qenë në Kupat e Europës. Gjendja e lojtarëve? Duhet të shohim nesër. Ignjatovic ka një problem në kavilje dhe nuk e di nëse do të jetë gati. Rapo pati një çarje në vetull dhe shpresoj të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Vllaznisë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!