Armando Cungu, trajneri i Laçit, pas fitores 3-0 me Flamurtarin, në një lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, tha: “Është një ecuri e mirë, pavarësisht humbjes me Partizanin. Nuk bëmë atë që prisnim. Nuk mund të jesh çdo ditë në ritëm të mirë. Kjo është vazhdimësi e fitoreve të fundit, tre me nga tre gola. Kishte oshilacione sot, por është një fitore që na kënaq”.
“Është e dukshme që e falëm pjesën e parë. Kishim dy javë pushim, por ekipe si Flamurtari janë të vështira. Luajnë lirshëm, pa pretendime, ndaj ekipeve si Laçi që do fitore në shtëpi. Nuk e morëm lehtë, ndoshta ishte tensioni apo dëshira për të fituar sa më parë. Nuk i projektojmë dot golat kur duam. Duhet ritëm i lartë dhe dëshirë. Ndoshta ishte çështje nervozizmi. Në pjesën e dytë u munduam të ishim të qetë. Goli vjen kur e përgatit. Pasi shënuam besoj se u bë më e thjeshtë për ne”.
“Mund të them se jam i kënaqur me djemtë. Janë shprehur mirë në fushë dhe kanë marrë rezultate bindëse. Ekipi ka nevojë për afrime dhe drejtuesit po mendojnë për diçka. Kërkohet një grup më i plotë dhe i bollshëm, pasi kampionati ka firot e veta. Duhet një ekip edhe më i plotë. Është e vështirë të gjesh lojtarë në janar. Me rëndësi që ambicia e klubit nuk mungon dhe për mua është shtysë për të arritur diçka në këtë sezon”.
“Kundërshtari po luante me shumë forca mbrapa, nuk ka la hapësira në fillim. Edhe Vllaznia na e bëri para disa javësh. Nuk është e lehtë me këto ekipe, që luajnë edhe pa presion dhe me synim për të bërë ‘dëm’. Duhej qetësi në fillim. Kishim tre raste në 10 minutat e para. Kur nuk shënon, nga dëshira e madhe gabon prej tensionit. Lushkja dhe Deliu sistematikisht futen përpara, por jo gjithmonë ndodh. Normalisht duhet të shkojmë sa më shpesh në zonën e kundërshtarit”.
“Nwabueze dhe Shehu në merkato? Kjo është një pyetje që u duhet bërë drejtuesve. Nuk e di çfarë kontratash kanë. Në janar nuk është se gjenden lojtarë cilësorë. Laçi nuk ndalon njeri kur kanë ofertat nga kampionate në nivele më të larta. Uzuni, Çokaj e Mersinaj kanë qenë këtu. Mund t’i japë para klubit, por u jep edhe mundësi të mira lojtarëve”. /abcnews.al