Armando Cungu debutoi me Laçin me humbje. Trajneri shkodran analizoi ndeshjen me Tiranën në lidhje direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport. “Pësuam shpejt, por barazuam. Na penalizoi Cale, të cilin nuk e ndalëm si duhet. E dija që do ishte problem, sikurse Hasani.
Futja nga brenda u krijonte superioritet atyre. Nuk e mbyllëm dot me lojtarët e krahut. Na krijoi disa herë probleme. Në pjesën e dytë u munduam të marrim masa, kishte ekuilibër dhe pamë nga porta. Edhe pse ndryshuam diçka, nuk shënuam dot”.
“Pikët? Mungojnë pikët, dihet. Kemi shumë gjëra për të rregulluar. Do punojmë dhe duhet besim. Ka njëfarë ngërçi dhe lojtarët nuk luajnë lirshëm. Kjo vjen edhe prej pikëve. Duhet besuar, pasi ekipit e tregoi se ka cilësi. Mendoj se bëmë një lojë të pëlqyeshme. Treguam se mund të marrim pikë jashtë fushe, edhe ndaj ekipeve pretendente”.
“Objektivi është ta marr sa më shumë pikë. Ju i shikoni pikët dhe pozicionin dhe nuk mund të flasim për aventura. Duhet të flasim për momentin, të shohim ndeshje pas ndeshje. Më pas bëhen llogaritë. Nuk mund të marrim përsipër gjëra të mëdha në gjendjen që jemi”.
“Nuk i kërkoj ekipit të ndryshojë prapa. Ndoshta ngërçi sjell tërheqje. Kam kërkuar të dalim më para. Nuk e bëmë dot, falëm shumë terren dhe kjo na kushtoi. Ndryshuam dhe kërkuam të ngjitemi lart dhe të merrnim iniciativë. E bëmë deri diku në pjesën e dytë”. /abcnews.al