Çuçi takon gjeneralin libanez: Vijojmë operacionet për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ISIS

schedule20:41 - 7 Tetor, 2021

schedule 20:41 - 7 Tetor, 2021

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, priti në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Sigurisë së Libanit, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban Marc Ghorayeb, që cilësohen si dy personat kyç për operacionet e riatdhesimit të shqiptarëve nga kampet e ISIS në Siri. Çuçi thotë se operacionet do të vijojnë pa zbuluar më tepër detaje nga takimi në Tiranë.

“Nder i veçantë të ritakohesha me Gjeneral Major Abbas Ibrahim, drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë së Libanit dhe me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban Z. Marc Ghorayeb. Ata ndodhen në Tiranë për një vizitë dy ditore. I falenderova sërish për kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë për riatdhesimin e shqiptarëve nga kampet e ferrit në Siri.

Mirënjohja jonë ndaj tyre do të mbetet e përjetshme. Me Gjeneralin dhe Konsullin, si dhe struktura tona të Policisë së Shtetit po vijojmë punën për riatdhesime të tjera nga ata që kanë mbetur ende pas. Janë operacione të vështira që marrin kohë, por tashmë kemi një përvojë të mirë dhe vendosmërinë e duhur për t’i shkuar deri në fund gjërave”, shprehet Çuçi. m.v/Abcnews.al