Çuçi takim virtual me drejtuesit e Policisë: Mos u intimidoni nga asnjë forcë politike, qoftë edhe nga PS

schedule14:56 - 19 Prill, 2021

schedule 14:56 - 19 Prill, 2021

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është duke zhvilluar një takim virtual me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë së Shtetit për të diskutuar mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor më 25 prill.

Ndër të tjera, Çuçi u bëri thirrje drejtuesve të Policisë së Shtetit që të mos intimidohen nga asnjë parti politike, qoftë kjo edhe vetë Partia Socialiste. Po ashtu, Çuçi kërkoi edhe që policia të jetë sa më profesioniste në reagime.

Ministri u tha drejtueseve që të jenë të përgatitur për procesin e votimit si dhe në gatishmëri për pas mbylljes së kutive dhe nisjes së numërimit.

“…Tensioni do të ç’bëhet pasi të numërohen votat për subjektet politike. Duhen marrë masat dhe duhet të kemi gatishmëri të plotë, që nga momenti i mbylljes së kutive, dhe sidomos në daljen e rezultatit për subjektet politike. Kam besim që policia ka pjekurinë, profesionalizmin që t’i përballojë më së miri këto rezultate.”

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi sot që udhëtarët që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të karantinohen për dy javë, por si duket ministri Çuçi nuk ishte informuar ende për këtë vendim. Ai tha se në bazë të vendimeve që do të merreshin nga ekspertët, ashtu edhe do të përgatitet plani me masa.

“Dhe, lëvizjen e emigrantëve, fluksi që mund të shtohet në rastin e ditëve të zgjedhjeve. Nuk e di çfarë vendimi do marrë komiteti, por duhet t’i përgjigjemi. Nëse hapen kufijtë, duhet rritur siguria në pika kufitare. Nëse do të ketë kufizim të lëvizjes, për shkak të pandemisë. Duhet që të marrim masa që të zbatohen deri në vendimet e komitetit. Duhet të bësh një plan masash që t’u përgjigjesh çdo vendimi që do marrë komiteti.”

Bledi Çuçi tha se policia e shtetit i ka të gjitha instrumentet në dorë për të fiksuar prova dhe për të parandaluar krimin zgjedhor.

“I kemi mundësitë, instrumentat në dorë, shfrytëzoheni për të fiksuar prova e për të parandaluar situata të tilla. Do jetë në nderin e policisë nëse arrimë të parandalojmë, dhe arrijmë të sigurojmë prova për njerëz që mund të tentojnë të kryejnë krime elektorale.” sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!