Pas 13 orësh diskutime ditën e djeshme, Kuvendi i rimblodh sërish ditën e sotme për të diskutuar paketën fiskale dhe projekt buxhetin për vitin 2023.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bëri me dije se treguesit makroekonomikë për Shqipërinë janë më të mirët në rajon. Sipas tij, buxheti i 2023 është një mundësi shumë e mirë për të rritur mirëqenien dhe realist për t’iu përgjigjur të gjitha sfidave që ka Shqipëria sot, sidomos ato që lidhen me luftën moderne (sulmet kibernetike).
Çuçi: U kërcënuam nga një tërmet në 2019 me pasoja shumë të mëdha. Pa kaluar akoma dhimbjen e tërmetit u kërcënuam nga pandemia dhe vijmë sot në këtë vigjilje të miratimit të një buxheti nga një kërcënim tjetër i madh siç është lufta në Ukrainë. Lufta ka nxitur një inflacion të shfrenuar në gjithë Evropën, por jo vetëm dhe po krijoj probleme jo të vogla në gjithë botën. Krizën e tërmetit dhe pandemisë e kthyem në një mundësi dhe kjo falë largpamësisë dhe qeverisjes tonë, ne vijmë sot me këtë projekt para shqiptarëve për t’i garantuar që edhe kjo krizë do të jetë një mundësi më e mirë për ta.
Ministri tha se treguesit makroekonomikë për Shqipërinë janë më të mirët në rajon. Buxheti, si përgjigje e drejtpërdrejtë e inflacionit që vjen nga kriza, është rritja e pagave për gjithë sistemin e sigurisë.
Çuçi: Bëmë të mundur të rrisim pagat për mbi 7 mijë punonjës të policisë së shtetit në masën mbi 15%. Kjo është një rritje, më e madhja e bërë në një moment të caktuar. Këtë rritje do ta garantojmë në mënyrë të qëndrueshme me buxhetin e 2033 dhe më tej.
Buxheti është realist edhe ndaj kërcënimeve të tjera që i vijnë Shqipërisë. Një nga këto janë sulmet kibernetike të ardhura nga Irani.
Çuçi: Ne vijmë drejtpërdrejt me një përgjigje, me një paketë investimesh. Investimin në teknologjinë e informacionit e kemi rritur me 7.6 herë në 2023, në përgjigje të forcimeve të sistemeve të sigurisë së policisë. për 2023 kemi parashikuar 547 milionë lekë investime që shkojnë drejtpërdrejt në sistemet e policisë së shtetit./Abcnews.al/