Cristiano Ronaldo është lojtari më i mirë i Botërorit deri tani. Portugezi shënoi 3 gola ndaj Spanjës dhe vendosi edhe rekorde.
Ndërsa skuadra mbërrinte në ndeshje, ai kishte këtë pamje. Cristiano Ronaldo, gjithë jetën i pakënaqur me veten, donte të bindte këdo se ai mbetej numri 1.
A mund të dyshojë njeri se ai ia arriti qëllimit?
Ronaldo apo Messi, Messi apo Ronaldo, kjo pyetje ndoshta nuk do të ketë përgjigje, por Kupa e Botës për momentin njeh për mbret portugezin. Tre gola, secili me veçantinë e tij.
Një penallti që duhet pranuar si e vjedhur, një rrjetë e dytë me ndihmën e portierit kundërshtar dhe kryevepra, goditja e dënimit në fund, që shmangu humbjen. Një tjetër deklaratë pa ekuivok e një sportisti krejt të veçantë, që padyshim do të jetë përjetë mes më të mëdhenjve.
Tashmë, Cristiano është i vetmi lojtar që ka shënuar në 8 turne të mëdhenj, Kupa të Botës apo Europianë. Është një nga katër futbollistët që ka shënuar në 4 Botërorë, në shoqëri me Pelen, Uve Zelerin dhe Miro Klosen. Nuk u habit kush që pikërisht ai u zgjodh lojtari i ndeshjes.
Cristiano Ronaldo: “Një moment special, moment gëzimi të madh, pasi arritëm objektivin. E dinim se kishim përballë një nga ekipet favoritë për Botërorin, por ne bëmë çdo sakrificë për t’ia dalë. Ne treguam se Portugalia është një skuadër e madhe, jo më kot kampione e Europës. Sa për golat e mi, mund t’iu them se ky është fryt i një pune shumëvjeçare, jo një rastësi”.
Si ia doli ky djalë dikur i varfër, të ngjitej në majë?
Një dëshmitar okular është ish-shoku i tij tek Manchester United, Rio Ferdinand.
Rio Ferdinand: “Ai ishte personi i parë që unë pashë të merrte një dietist personal, një mjek personal, një fizioterapist personal dhe një shef personeli. Ata thuajse jetonin në shtëpinë e tij. Unë banoja shumë pranë tij dhe kur shkoja në shtëpinë e tij më dukej sikur ishin karnavalet. Ai investoi në vetvete që të bëhej më i miri në botë”.
Duke qenë vite dritë përpara të tjerëve, Ronaldo tejkaloi defiçitin e talentit për të konkurruar me magjistarin Lionel Mesi. Ai fitoi gjithçka me Manchester United në 6 vjet. Po ashtu, prej gati 10 vitesh fiton çdo gjë me Realin e Madridit. Gjithsesi, ai nuk është ende i kënaqur. Ambicia e tij nuk mund të pranojë që të mos shpallet kampion i botës. Pasi ia doli në Europian, ku i dihet, ndoshta e bën edhe këtë./abcnews.al