Cristiano Ronaldo u zëvendësua dhjetë minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë e takimit me Milanin dhe portugezi nuk e priti mirë lëvizjen e bërë nga Mauricio Sarri, që në fakt rezultoi efektive. Paolo Dybala, i cili mori vendin e numrit 7 të bardhezinjve, shënoi golin e fitores për skuadrën torineze.
Gjithsesi çështja kryesore është Ronaldo, për të cilin u tha edhe se është larguar para përfundimit të ndeshjes nga stadiumi. Gazzetta dello Sport raporton se portugezi është penduar dhe klubi nga ana tjetër është tërhequr dhe nuk do ta gjobisë atë.
Kur të rikthehet nga grumbullimi me kombëtaren pritet që Ronaldo të japë sqarime mbi situatën e krijuar. Kohët e fundit është parë sulmuesi nuk është i lumtur dhe reagimet e tij pas zëvendësimeve janë komentuar shumë, sikurse edhe ndodhi pas ndeshjes me Milanin. /abcnews.al