Cristiano Ronaldo po kalon një moment të vështirë dhe kjo dallohet nga të gjithë. Eksperienca i lejon portugezit që të mos e nisë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse rëndësi ka që të arrijë formën maksimale gjatë muajve mars dhe prill.
Gjithsesi, 34-vjeçari e ka humbur shkëlqimin dhe deri tani ka shënuar 6 gola mes kampionatit dhe Champions League. Në ndeshjen e mbrëmjes së kaluar kundër Milanit ishte hija e vetvetes dhe Maurizio Sarri e zëvendësoi në minutën e 55-të me Paulo Dybala.
Portugezi nuk e priti mirë veprimin e trajnerit dhe u largua menjëherë drejt dhomave të zhveshjes. Dybala shënoi golin e fitores, diçka e tillë i dha të drejtë Sarrit, teksa ka Fabio Capello ka kritikuar ashpër Ronaldon.
Trajneri i famshëm italian ka analizuar për Sky Sport formën e dobët të yllit të bardhezinjve. “Cristiano nuk driblon një kundërshtar prej tre vitesh. Nuk ndodhet mirë fizikisht në këtë moment dhe diferencën po e bëjnë Dybala dhe Douglas Costa. Bravo Sarrit, duhet personalitet i fortë për të nxjerrë nga fusha një lojtar si Ronaldo. Portugezi nuk kreu një gjest pozitiv, duhet të tregohet kampion edhe kur zëvendësohet“, përfundon Fabio Capello. /abcnews.al