COVID, publikohet marrëveshja sekrete Itali-Rusi: Mjete speciale në vendet e infektuara

schedule16:41 - 19 Prill, 2022

schedule 16:41 - 19 Prill, 2022

Mediat italiane kanë publikuar korrespondencën sekrete me ambasadën e Moskës për planifikimin e mbërritjes së 130 personave për një mision anti Kovid në zonat më të infektuara të Italisë në mars të 2020-ës. Por dokumentet e publikuara shtojnë dhe më shumë dyshimet se operacioni rus në fakt kishte objektiv spiunazhin

“Janë përgatitur brigada mjekësore me impiante dhe mjetet e duhura për të dhënë asistencë të menjëhershme dhe për të mjekuar të sëmurët. Parashikohet dërgimi i mjeteve speciale për dezinfektimin e strukturave dhe qendrave të banuara në zonat e infektuara”. Një email i dërguar në orën 08.48 të 22 marsit 2020. Nga ministria e jashtme italiane publikohet mesazhi i dërguar më parë në ambasadën ruse në Romë. Në këtë mënyrë iu komunikohet zyrtarëve të ministrisë, së qeverisë dhe mbrojtjes civile natyra e misionit që vjen nga Moska. Dhe kështu del në pah se rusët kishin paralajmëruar qeverinë italiane se objektivi ishte dezinfektimi i strukturave publike. Dhe për këtë ishte dhënë drita jeshile nga qeveria italiane. Gjithashtu u morën përsipër dhe shpenzimet për të 130 rusët që mbërritën në vend.

Mediat italiane kanë publikuar emaliet dhe dokumente të tjera që zbulojnë prapaskenat e misionit të nisur në mars 2020, pak javë pasi Italia kishte hyrë në pandemi, dhe që zgjati 2 muaj. Duke treguar se marrëveshja mes Xhuzepe Konte – në atë kohë kryeministër i Italisë dhe presidentit rus Vladimir Putin, është shumë ndryshe nga ajo që u tha në atë kohë. Materialet mjekësore ishin të pamjaftueshme përballë nevojave dhe kjo shton dyshimet se objektivi i vërtetë i rusëve ishte spiunazhi dhe jo ndihma humanitare. Dhe sepse që nga emaili i parë kushti i tyre ishte i prerë: Presim përgjigje brenda tre orësh në kanalet diplomatike në Romë ose Moskë. Dhe kështu ndodhi meqenëse në Itali mbërritën 11 avionët e parë ushtarakë rusë. Gjithashtu në mesazhin e palës ruse shkruhej se për programuar fluturimet dhe operacionet humanitare duheshin informacione për aeroportet dhe zonat ku do të dërgoheshin specialistët rusë.

Dokumenti i transmetuar në rrugë diplomatike tregon detajet e një operacioni të pamundur për t’u planifikuar brenda pak orësh.

Zyrtarisht operacioni humanitar rus u pranua për të marrë maska dhe ventilatorë që në atë kohë nuk gjendeshin në Itali. Por marrëveshja e publikuar vetëm orët e fundit tregon se Italia ishte vënë në dijeni që në fillim se do të paguante të gjitha shpenzimet: një faturë prej më shumë se 3 milion eurosh. Gjithashtu Roma pagoi për më shumë se 50 mijë ton karburant që i duheshin avionëve për t’u rikthyer në Rusi. Shifra dhe fakte që janë larg deklaratave zyrtare në atë kohë e që publikohen vetëm tani.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!