COVID drejt zhdukjes në Shqipëri, KE e kalon “topin” te vendet e anëtare për lëvizjen, shpresë nga 1 korriku

schedule17:14 - 10 Qershor, 2021

schedule 17:14 - 10 Qershor, 2021

Nga Erisa Zykaj

Koronavirusi në Shqipëri është drejt zhdukjes, pasi numrat janë në shifra minimale, si infektimet dhe fatalitetet. Tashmë që SHBA-të e vendosën Shqipërinë në nivelin 1 me rrezik të ulët të COVID-19, përse nuk e bën të njëjtën gjë BE-ja?

ABC pyeti Komisionin Europian se Shqipëria së bashku me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor plotësojnë tashmë kriterin kryesor: më pak se 75 infektime për cdo 100.000 banorë në dy javë. A do të kishte një rekomandim specifik të KE-së drejtuar vendeve anëtare?”

Adalbert Jahnz, zëdhënësi i KE-së “topin” ua kaloi vendeve anëtare. “Mirëpresim lajmin e mirë lidhur me progresin e situatës epidemiologjike në Ballkanin Perëndimor. Kur vjen cështja te heqja e kufizimeve për udhëtimet jo-thelbësore, janë shtetet anëtare që shqyrtojnë cdo dy javë situatën dhe marrin vendimin dhe në bazë të disa kritereve, jo vetëm një” tha ai.

Lidhur me pyetjen e ABC, nëse KE-ja dhe shtetet anëtare janë të vetëdijshme, se duke i privuar qytetarët e Ballkanit nga lëvizja e lirë afatshkurtër, ata asgjësojnë provën e vetme të prekshme, konkrete dhe të dukshme të përfitimeve nga integrimi në BE, zëdhënësi Jahnz është përgjigjur “Dua të shtoj një element të rëndësishëm që lidhet me kontekstin.

Nuk bëhet fjalë për të riparë politiken tonë për Ballkanin Perëndimor përfshirë këtu për qarkullimin pa viza. Jemi larg pres kësaj. Bëhet fjalë për të menaxhuar pandeminë, që vazhdon të evoluojë pavarësisht vaksinimit dhe progresit të situatës sanitare. Dua të rikujtoj, se edhe brenda Bashkimit Europian ne vazhdojmë të kemi kufizime lidhur me lëvizjen e lirë dhe kontroll në kufijtë.

Pra, nuk duam të krijojmë një trajtim më pak të mirë për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor sesa e  mundëson situata sanitare. Por Bashkimi Europian mbetet shumë i vëmendshëm për nevojën për të kufizuar pandeminë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt në një situatë ku të heqim të gjitha kufizimet, për të bërë të mundur udhëtimet brenda dhe jashtë BE-së” tha ai.

Burime të Këshillit të Ministrave të BE-së kanë konfirmuar për ABC se që ka disa shtete që do të njohin vaksinën ruse dhe kineze duke filluar nga 1 korriku duke u hapur kështu rrugën shumë shqiptarëve për të udhëtuar drejt vendeve të unionit. d.b/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!