Covid apo grip? A dëmton maska për një kohë të gjatë? Flasin epidemiologët

schedule16:34 - 13 Tetor, 2020

schedule 16:34 - 13 Tetor, 2020

Nga Ajgena Korbi

Sa të ngjashëm aq dhe të ndryshëm. Bëhet fjalë për gripin dhe Covid –in.

Të dyja sëmundje respiratore ngjitëse të cila ndonëse nuk shkaktohen nga të njëjtat viruse shfaqen thuajse më të njëjtat shenja.

Kjo sipas epidemiologut Dritan Ulqinaku vështirëson dallimin klinik të tyre.

“Është e vështirë të bëhet dallimi. Dallimi përfundimtar është tamponi. Ajo që është karakteristikë për Covid-in është një temperaturë 37-38 gradë celsius, humbje të nuhatjes dhe shijes, dhimbje të fortë koke etj. gripi ka temperatura të larta 39 dhe mbi 39 gradë. Këshilla e parë është që nëse kemi temperaturë, të vetëizolohemi, të komunikojmë me mjekun e familjes dhe të këshillohemi”.

Qarkullimi i të dy viruseve në të njëjtën kohë veç rritjes së numrit të të infektuarve dhe shtrimeve në spital është një nga arsyet  e kthimit në detyrim të mbajtjes së maskës dhe në mjedise të hapura. Por sa ndihmon ajo, çfarë maskash duhet të mbajmë dhe kush mund të lëvizë pa barrierë mbrojtëse në rrugë?

“Thjesht pengojmë spërklat të arrijnë tek personat e tjerë. Një maskë prej copë, qoftë edhe një shall i mirë është më se i  mjaftueshëm. Personat e infektuar nëse kanë maskë transmetimi tek të tjerët është i vështirë”.

Pyetje –  a dëmton mbajtja e maskës për një kohë të gjatë?

“Asnjë lloj problemi. Niveli i oksigjenimit në pulmone është i njëjtë, si tek personat që mbajnë, dhe ata që nuk mbajnë maskë. Flasim për një maskë të thjeshtë, jo maska specifike që mbahen në ambiente specifike”.

Mjekët thonë se  efektet e mbajtjes së maskës do të vërehen të paktën dy javë pas përdorimit të saj./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!