Covid-19, ushqyerja me gji dhe vaksinat: Mitet rreth shtatzënisë

schedule10:14 - 13 Gusht, 2021

schedule 10:14 - 13 Gusht, 2021

Pandemia e koronavirusit ka qenë e vështirë për të gjithë në mbarë botën, por ka qenë edhe më e vështirë për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike ose për gratë shtatzëna që janë të frikësuara jo vetëm nga infektimi por edhe për transmetimin e virusit  tek të sapolindurit e tyre, shkruan wionews

Rreziqet gjatë shtatzënisë

Gratë shtatzëna janë më pak të rrezikuara të infektohen nga koronavirusi  nëse qëndrojnë brenda dhe kufizojnë kontaktet e tyre shoqërore. Sidoqoftë, gratë që infektohen me COVID-19 gjatë shtatzënisë janë më të rrezikuara të vuajnë nga problemet e frymëmarrjes.

Rreziku është më i lartë në tremujorin e tretë për gratë shtatzëna, në të gjithë botën. Një shqetësim kryesor për të gjitha nënat e ardhshme dhe familjet e tyre është lindja në kohë e foshnjës. Sidoqoftë, ka shanse më të larta për lindje të parakohshme dhe lindje cezariane, nëse nëna është infektuar nga koronavirusi, raporton abcnews.al

Ekspertët këshillojnë gratë shtatzëna që të marrin masa paraprake gjatë dhe menjëherë pas shtatzënisë, si edhe të identifikojnë sa më shpejt simptomat si ftohja e zakonshme, rrjedhje hundësh, ethe, kollë e thatë, etj.

Gratë shtatzënë, nëse infektohen nga koronavirusi është e këshillueshme të pinë më shumë lëngje dhe të pushojnë sa më  shumë për të shmangur lodhjen. Nëse një grua shtatzënë, në një rast të tillë, është e lodhur sistemi i saj imunitar mund të dobësohet më tej dhe virusi mund të sulmojë më shumë trupin, duke çuar kështu në efekte të rënda negative.

Disa ditë para lindjes së foshnjës, nëna duhet të kontrollohet për virusin vdekjeprurës. Ekspertët këshillojnë nënën që të qëndrojë brenda, të kufizojë komunikimin me të tjerët dhe të ndjekë një dietë të shëndetshme disa javë para lindjes.

Nëna duhet të bëjë analizat disa ditë para lindjes së planifikuar dhe gjithashtu disa orë para se të hyjë në sallën e lindjes.

Kujdesi pas lindjes

Ndërsa siguroheni që foshnja të lindë e shëndetshme, është gjithashtu shumë e rëndësishme të kujdeseni për të porsalindurit. Janë raportuar raste në të gjithë botën ku të porsalindurit janë infektuar nga koronavirusi.

Pas lindjes, nënat duhet të caktojnë disa takime virtuale me mjekët e tyre për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë. Nënat gjithashtu këshillohen të kujdesen për shëndetin e tyre mendor pas shtatzënisë pasi ka shanse më të larta për depresion pas lindjes, raporton abcnews.al

Një shqetësim tjetër më i madh për nënat e reja është frika për të vënë të porsalindurin në rrezik përmes ushqyerjes me gji. Ekspertët dhe studiuesit e shëndetit sugjerojnë se qumështi i gjirit nuk ka të ngjarë të infektojë foshnjën.

Sidoqoftë, ende nuk ka përgjigje të sigurta nëse nënat e infektuara me Covid mund të ushqejnë me gji të porsalindurit e tyre apo jo. Ekziston frika se virusi përhapet përmes pikave të frymëmarrjes gjatë ushqyerjes me gji.

Për ta shmangur këtë, tani për tani, ekspertët sugjerojnë që nënat e infektuara me Covid të mbajnë nmaskë gjatë gjithë kohës kur janë pranë foshnjës dhe ti lajnë duart rregullisht para dhe pas prekjes së foshnjës, ose çdo gjë që lidhet me të.

Studiuesit besojnë se nëse një nënë është e infektuar me koronavirus, ka më pak shanse që virusi të kalojë tek foshnja dhe nuk ka gjasa që të pengojë zhvillimin e foshnjës. Është vënë re gjithashtu që COVID-19 nuk rrit shanset për aborte.

Ndërsa ka pasur raste kur të porsalindurit janë infektuar nga nëna, kjo është diçka e rrallë dhe mjekët këshillojnë kufizimin e vizitave për të porsalindurit për t’u siguruar që ai/ajo nuk do të infektohet nga asnjë vizitor.

Vaksinat gjatë shtatzënisë

Nuk ka asnjë provë se vaksinat e koronavirusit janë të pasigurta për gratë shtatzëna. Sidoqoftë, studiuesit sugjerojnë që gratë duhet të zgjedhin Moderna dhe Pfizer, në vend të AstraZeneca.

Vaksinat Moderna dhe Pfizer janë vaksina mRNA kështu që ka më pak ose aspak shanse të infektojnë dikë me virusin vdekjeprurës. Ekspertët gjithashtu kanë arritur në përfundimin se vaksinat e mRNA nuk përfshihen në ADN -në e njeriut dhe, kështu, nuk ka ndryshime gjenetike.

Sidoqoftë, ekspertët e shëndetit këshillojnë në mënyrë rigoroze gratë shtatzëna të pushojnë sa më shumë. Gjithashtu është e këshillueshme të shmangnin kontaktet me personat e tjerë dhe në momentin që dalin të mbajnë maska.

Vaksinat janë gjithashtu të sigurta për nënat që ushqejnë me gji foshnjat. Disa gjithashtu besojnë se vaksinat mund të zhvillojnë antitrupa që mund të mbrojnë  foshnjat kundër virusit. Sidoqoftë, diçka e tillë nuk është vërtetuar ende nga ekspertët mjekësorë.

Vaksinat e gripit janë gjithashtu të sigurta dhe këshillohen për gratë shtatzëna. Në fakt, marrja e vaksinave të gripit këshillohet, je apo nuk je i infektuar me Covid për të shmangur infektimin nga ftohja e zakonshme ose ndonjë formë tjetër e gripit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!