Spahia: Vdekshmëria te të intubuarit afro 100%, shkak mungesa e rimbursimit të ilaçeve

schedule20:20 - 30 Tetor, 2020

schedule 20:20 - 30 Tetor, 2020

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia në një bisedë me gazetarin Endri Xhafo u shpreh për Abc News se fatkeqësisht në Shqipëri vdekshmëria te personat e intubuar si pasojë e koronavirusit është afro 100%. Fajin për këtë shifër alarmante, që sipas tij ia kalon edhe Italisë në pikun e saj, Spahia ua faturon  institucioneve shëndetësore që nuk rimbursojnë ilaçet te qytetarët e prekur, të cilët i drejtohen spitalit në fund kur gjendja e tyre është e agravuar dhe mjekët e kanë të vështirë që të ndryshojnë rrjedhën.

Kemi denoncime për pamundësi të qytetarëve për përballimin e shpenzimeve ekonomike në trajtimin në kohë me preparatet e duhura dhe kjo reflektohet te paraqitja tepër vonë, shpesh herë në dyert e spitaleve. Çka reflektohet te numri i lartë i personave të intubuar dhe vdekshmëria e lartë e personave të intubuar që kemi ne. Vdekshmëria te personat e intubuar. Kjo shifër të bën të mendosh për arsyen. Kemi shifrën afro 100% te personat e intubuar dhe kjo është tragjike. Veriu i Italisë në pikun e vet me një mesatare të jetës së pacientëve me të lartë se e jona, arriti te 50% e vdekshmërisë te personat e intubuar, ne e kemi afër 100%. Unë di personalisht 2-3 që kanë dalë nga intubimi me sukses, të tjerë nuk di. Pacientët në Shqipëri paraqiten me shumë vonesë dhe kushte të agravuara, gjë që reflektohet te pamundësia e ekipeve mjekësore për të ndryshuar rrjedhën e sëmundjes së fatkeqësisht përfundon me vdekjen e tyre” tha ai.

Bardh Spahia i kërkoi edhe njëherë qeverisë që të rimbursojë ilaçet për të infektuarit, pasi e ka detyrim ligjor. “Edhe në spitale dhe qendra të specializuara do të duhej të ofrohen falas ilaçet, pavarësisht këtij fakti, ne kemi vënë re, sikur edhe ju e keni faktuar, edhe në spitale dhe qendra të specializuara, shpesh herë familjarët kanë qenë të detyruar të dalin dhe blejnë preparate me lekët e tyre. Denoncimi im nuk është asgjë tjetër vetëm vendosje në dukje e një detyrimi ligjor për t’u siguruar të infektuarve mjekim, të gjitha falas, sikur e thotë ligji; cdo person i sëmurë nga sëmundje infektive, apo karakter epidemik ka të drejtë të mjekohet falas në cdo institucion publik apo jo publik”.

Në vijim të bisedës, Spahia u ndal te udhëzimi i firmosur nga zv/ ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli për protokollin e trajtimit në shtëpi dhe rimbursimet. Ai tha se ndryshe nga sa propagandohet, në fakt vetëm një ilaç është me rimbursim, ndërsa medikamenti për hollimin e gjakut është me limit. “E gjithë kjo barrë ekonomike bie mbi cdo pacient të prekur. Nuk do të kishte nevojë për asgjë përveç të zbatohet ligji që vetë parlamenti ka miratuar. Nuk është favor që u bëhet pacientëve, por detyrim ligjor.

Shumica e vendeve garantojnë mbulimin e shpenzimeve për trajtimin e koronavirusit. Trajtimi është i shtrenjtë, problem në vete kostoja dhe padyshim në cdo vend të zhvilluar shteti në një mënyrë apo tjetër lehtëson barrën e qytetarëve të vet, u garanton mbulimin e shpenzimeve pa pasur probleme të karakterit financiar. Kapacitetet e familjeve shqiptare nuk janë në atë mundësi për të mbuluar trajtimin, minimumi disa javë me këto medikamente” përfundoi ai./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!