Seanca për çështjen e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe ish-Drejtorin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela është shtyrë për në 13 maj.
Duke u bazuar në aktin normativ Gjykata e Posaçme e Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk e ka vlerësuar si urgjente çështjen në këtë periudhë të fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë.
Gjithashtu që çështja Tahiri të niste duhej që në seancën e parashikuar për këtë të martë të ishin të pranishme të gjitha palët. Ndërsa ish-ministri nuk u paraqit në gjykatë, duke u përfaqësuar nga avokati Maks Haxhia.
Nga ana tjetër avokatët e Jaeld Çelës kanë kërkuar përjashtimin e tre gjyqtarëve të çështjes së tij, Albana Boksi, Nertina Kosova dhe Nure Dreni. Kërkesa vjen me argumentin se kanë shqyrtuar të tjera çështje të bashkëlidhura me grupin e Habilajve.
Kjo kërkesë e avokatëve të Çelës do të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues. Në rast se togat e zeza të gjykatës së posaçme të apelit, pranojnë që të përjashtojnë 3 gjyqtaret, atëherë procesi shkon në kolaps.
Kjo pasi nga apeli i gjykatës së posaçme janë të konsumuar 4 nga 6 gjyqtarët e kësaj gjykate.
Duhet të ndërhyjë Këshilli i Lartë Gjyqësor për të caktuar një gjyqtar tjetër. Çela akuzohet bashkë me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për favorizim të grupit kriminal “Habilaj”, në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ish drejtori i policisë, në arrati u dënua në shtator të vitit të kaluar me 3 vjet e 4 muaj burgim.
Ndërkohë, avokatët e Çelës e kanë apeluar vendimin e dhënë asokohe nga gjykata e Krimeve të Rënda.
Ndërsa ish ministri i brendshëm Saimir Tahiri u shpall fajtor nga Krimeve të Rënda vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” duke u dënuar me tre vite shërbim prove.
Tahiri e ka apeluar këtë vendim duke kërkuar pafajësi. /abcnews.al