Një burrë i moshës 45-vjeçare ka humbur dëgjimin për shkak të COVID-19, të paktën kështu pretendojnë mjekët duke e cilësuar si rastin e parë në Britaninë e Madhe.
Pacienti i paidentifikuar, u shtrua në repartin e kujdesit intensiv për 30 ditë dhe ka qenë në intubim. 45 vjeçari pati ndërlikime të ndryshme si rezultat i Covid-19, duke përfshirë presionin e lartë të gjakut, aneminë, pneumoni dhe mpiksje gjaku.
Pas një qëndrimi relativisht të gjatë në spital, ai është ankuar se ka humbur dëgjimin në veshin e majtë. Ai nuk kishte pasur ndonjë problem me dëgjimin më parë. Shkencëtarët besojnë se humbja e dëgjimit mund të jetë shkaktuar nga koronavirusi. Mjekët që e kanë trajtuar, deklaruan se atij i është përmirësuar pjesërisht dëgjimi.
Ky është cilësuar si rasti i parë që një pacient humb dëgjimin nga COVID-19 në Britani. Katër raste tjerë të tilla janë raportuar në vende të ndryshme të botës. Humbja e papritur e dëgjimit është pjesë e listës së ndërlikimeve afatgjata të lidhura me Covid-19./ abcnews.al

