Kompania më e madhe e shitjeve online, Amazon, ka deklaruar se mbi 19,800 punonjës të saj në Shtetet e Bashkuara janë infektuar me koronavirus, që në muajin mars. Numri përfshin 1.44 për qind të 1.37 milion punëtorëve në të gjithë kompaninë dhe degën e saj Whole Foods.
Amazon është përballur me një sërë kritikash nga punonjësit, sindikatat dhe zyrtarët, të cilët e kanë akuzuar se ka vënë në rrezik shëndetin e punonjësve. Por, gjiganti i shitjeve online tha se shkalla e infektimit është më e ulët sesa pritej.
Izolimi i njerëzve ka rezultuar fitimprurës për kompaninë dhe ka shtuar pasurinë e themeluesit të saj, Jeff Bezos, i cili është njeriu më i pasur në botë. Shitjet e gjigantit të teknologjisë janë rritur për 40%, në 88.9 miliardë dollarë, në tremujorin e dytë.
Fitimi tremujor i kompanisë, prej 5.2 miliardë dollarësh, ka qenë më i madhi që nga viti 1994. /abcnews.al