Covid-19 prek edhe “skifterat”, në 12 ditë në Tiranë asnjë vjedhje e grabitje

schedule15:44 - 23 Mars, 2020

schedule 15:44 - 23 Mars, 2020

Nëse këto ditë janë të këqija për shumëkënd, është edhe një kategori që këto ditë i ka më të këqija akoma.

Karantina nuk ka prekur vetëm përditshmërinë e qytetarëve në kryeqytet, por edhe atë të “skifterëve”. Hajdutët kanë ngelur pa punë dhe shkak është bërë prania në banesa pothuajse 24 orë e qytetarëve në Tiranë.

ABC News ka mësuar se prej më shumë se dhjetë ditëve, kohë kur nisi karantinimi i banorëve, në kryeqytet nuk është shënuar asnjë vjedhje.

Situata e paprecedent për uniformat blu të kryeqytetit lidhet vetëm me faktin që qindra mijëra banorë të Tiranës kanë qenë të detyruar të mbyllen mes katër mureve sipas urdhëresave të qeverisë.

Kryeqyteti, vjedhjet e banesave dhe automjeteve i ka patur tradicionalisht gangrenë gjatë viteve të fundit, ku në gjithë Tiranën regjistrohen zakonisht dhjetëra syresh në ditë.

Burimet policore sqaruan për ABC News se shkak për këtë situatë është bërë dhe patrullimi i dendur i forcave të policisë dhe ushtrisë gjatë ditëve të fundit.

Kontrollet për shkelësit e ndalim qarkullimit kanë bërë që edhe skifterët të hyjnë nëpër strofullat e tyre në pritje të ditëve më të mira për aktivitetin e tyre kriminal.

Në vitin që lamë pas, Tirana do të regjistronte gjithsej 1.807 vjedhje e grabitje. Numrin më të lartë të tyre do e mbanin ato në banesa, me 274 raste të tilla./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!