Në Hagë, aktualisht janë në paraburgim disa figura të politikës së Kosovës, e po ashtu edhe anëtarë të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi janë të fundit që arritën në Hagë, ndaj tre prej të cilëve u mbajt edhe seanca e parë në Gjykatën Speciale. Por, këta të fundit janë pritur nga anëtarët e OVL-UÇK-së, të cilët kanë më shumë se një muaj që po vazhdojnë paraburgimin atje.
Gazeta Express mëson se Nasim Haradinajt, Hysni Gucatit dhe Sali Mustafës nuk u është lejuar të takohen me Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, pasi këta të fundit janë në vetizolim, për shkak të COVID-19. Ata nuk do të takohen edhe 10 ditë, pasi t’i bëjnë dy javë që janë vendosur në objektin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Gazeta Express shkruan se ata përshëndeten nga dritaret me njëri-tjetrin, pra vetëm kur njëra palë del për shëtitje, ata kanë mundësi të përshëndeten mes tyre. Gucati e Haradinaj janë arrestuar nga EULEX-i me datën 25 shtator, në Prishtinë. Po atë ditë, ata u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Ndaj tyre është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës.
Ndërsa, më 5 nëntor janë konfirmuar aktakuzat ndaj Thaçit dhe Veselit, të cilët janë dërguar po ashtu në Hagë. Thaçi ka mbajtur dje seancën e parë dëgjimore, ndërsa Veseli e ka mbajtur sot. Por, bastisje dhe arrestim ka pasur më 4 nëntor ndaj Jakup Krasniqit./ db/Abcnews.al