COVID-19/ Meta dekreton 15 mln euro hua të Shqipërisë nga BERZH: Kuvendi çoi dëm 11 ditë

schedule17:22 - 15 Dhjetor, 2020

schedule 17:22 - 15 Dhjetor, 2020

Presidenti Ilir Meta dekreton marrëveshjen e huasë mes Shqipërisë dhe BERZH për përballimin e pandemisë së koronavirusit. Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca thuhet se marrëveshja parashikon marrjen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim të një huaje në vlerën 15 milionë euro.

Sipas presidencës, kjo marrëveshje synon parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet përhapja e infeksionit COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gatishmërisë së shëndetit publik në vendin tonë.

Tre janë drejtimet ku do të fokusiohet kjo mbështetje: Së pari, parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19. Së dyti, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe sëmundje që lidhen me të. Së treti, masat për distancimin fizik dhe komunikimin në distancë.

Meta i tërheq vëmendjen Kuvendit se i janë dashur 11 ditë ta përcjellë në Institucionin e Presidentit për shpallje këtë ligj pas miratimit kur çdo ditë është e vyer, ndaj ai ka vendosur ta shqyrtojë dhe të bëjë shpalljen e tij brenda 24 orëve.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sapo ka administruar ligjin nr. 144/2020 “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim  dhe Zhvillim për projektin për reagimin ndaj emergjencës COVID-19 në Shqipëri”, ka realizuar brenda 24-orëve shqyrtimin dhe ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së ligit dhe marrëveshjes së nënshkruar, rezulton se:

Marrëveshja, e ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë është nënshkruar në tetor 2020 dhe parashikon marrjen nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim të një huaje në vlerën 15 milionë euro, që do të përdoret për Projektin për Reagimin ndaj Emergjencës COVID-19 në Shqipëri.

Projekti parashikon mbështetjen e sistemit shëndetësor për të reaguar ndaj infeksionit COVID-19 menjëherë dhe në periudhë afatmesme. Kjo marrëveshje synon parandalimin, zbulimin dhe reagimin ndaj rrezikut që paraqet përhapja e infeksionit COVID-19, si dhe fuqizimin e sistemeve kombëtare të gadishmërisë së shëndetit publik në vendin tonë.

Kjo mbështetje do të fokusohet në këto drejtime kryesore: Së pari, parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.

Së dyti, rritjen e kapaciteteve të sistemit shëndetësor për trajtimin e pacientëve me COVID-19 dhe sëmundje që lidhen me të.

Së treti, masat për distancimin fizik dhe komunikimin në distancë.

 Ligji nr. 144/2020, është miratuar nga Kuvendi në datë 3 dhjetor 2020, ndërkohë që i është përcjellë Presidentit vetëm ditën e djeshme më datë 14 dhjetor 2020, me shkresën nr. 3130 prot., datë 14.12.2020.

Presidenti Meta, me keqardhje konstaton se në këtë periudhë ku çdo ditë është e vyer, Kuvendit i janë dashur 11 ditë ta përcjellë në Institucionin e Presidentit për shpallje këtë ligj pas miratimit.

Megjithatë, referuar qëllimit të kësaj marrëveshje dhe nevojës urgjente me të cilën po përballet vendi, Presidenti i Republikës menjëherë me administrimin e këtij ligji, pa asnjë vonesë ka realizuar shqyrtimin dhe ka vendosur Dekretimin me shpallje të tij.

Presidenti Meta nxit Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, që të bashkëveprojnë më ngushtë dhe pa vonesa në mënyrë që çdo mbështetje financiare e huaj të vihet në efektivitet sa më shpejt me qëllim përmirësimin e sistemit shëndetësor shqiptar, për të përballuar situatën e pandemisë COVID-19″, njofton presidenca./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!