Superiorja sërish me hijet e koronavirusit. Tashmë është klubi i Partizanit, pas Bylisit dhe Tiranës, që mund t’i nënshtrohet testeve për COVID-19. Dy lojtarë të skuadrës së kuqe, të cilët nuk ishin në Ballsh në ndeshjen e fundit, ditën e sotme kanë bërë edhe testin për koronavirusin.
Në klubin e kuq janë në pritje të përgjigjes së testit. Të dy futbollistët, me pasaportë të huaj, nuk kanë qenë në stërvitje ditët e fundit.
Me marrjen e përgjigjes së testeve, do të përcaktohet edhe nëse pjesa tjetër e skuadrës do të testohet për COVID-19. Lojtarët nuk kanë pasur probleme shëndetësore dhe shanset janë të mëdha që t’ia hedhin, sikurse ka ndodhur edhe me futbollistët e tjerë nëpër botë.
Ishte menduar që sot mund të testohej e gjithë skuadra, por nuk ka ndodhur kështu. Pasnesër është programuar derbi i kryeqytetit, që normalisht vihet në dyshim. Gjithsesi besohet se nuk ka të infektuar të tjerë dhe ndeshja do të luhet. Gjithsesi duhen pritur përgjigjet e testeve. /abcnews.al