Autoritetet zvicerane nuk lejojnë që ndeshja mes Zvicrës dhe Ukrainës, e vlefshme për Nations League, të zhvillohet ditën e sotme prej orës 20:45. Vendimi është marrë disa orë para ndeshjes dhe shkak për këtë është infektimi i disa lojtarëve të Ukrainës me COVID-19.
Federata e Futbollit në Ukrainë është informuar nga UEFA, për vendimin e autoriteteve që i gjithë delegacioni i kombëtares ukrainase të futet në karantinë. Kështu sfida e programuar të luhej në Luzern është anuluar.
Të martën kishin dalë gjashtë lojtarë të Ukrainës me COVID-19. Të fundit të infektuar ishin Ruslan Malinovskyi, Sergiy Kryvtsov dhe Junior Moraes. Më parë të njëjtin fat patën edhe Dmytro Riznyk, Eduard Sobol dhe Yevgen Makarenko. Tashmë UEFA duhet të marrë një vendim për ndeshjen. /abcnews.al