Siç shkruan REL, Costa kritikoi pretendimet se liria e shprehjes po censurohet në Evropë dhe miratimin “e rritjes së ndikimit patriotike evropiane”, siç thuhet në strategjinë amerikane.
“Ajo që nuk mund të pranojmë është kërcënimi për ndërhyrje në jetën politike të Evropës. SHBA-të nuk mund të zëvendësojnë qytetarët evropianë në marrjen e vendimit se cilat janë partitë e duhura e cilat janë të gabuara”, tha Costa.
“SHBA-të nuk mund të zëvendësojnë Evropën dhe vizionin e saj për lirinë e shprehjes”, shtoi ai, duke theksuar se “historia jonë na ka mësuar se nuk ka liri të shprehjes pa liri të informacionit”.
Costa kritikoi edhe ndikimin e disa kompanive amerikane të teknologjisë, duke thënë se “nuk mund të ketë liri të shprehjes nëse liria e informacionit e qytetarëve sakrifikohet për të mbrojtur oligarkët amerikanë të teknologjisë”.
Costa, që është përgjegjës për arritjen e kompromisit mes udhëheqësve të BE-së, por edhe për raportet e bllokut me udhëheqësit ndërkombëtarë, u bëri thirrje evropianëve që të vazhdojnë përpjekjet për riarmatosje.
“SHBA-të mbeten një aleat i rëndësishme. SHBA-të janë një partner i rëndësishëm ekonomik. Por, Evropa jonë duhet të jetë sovrane në këtë drejtim. Kjo po ashtu ka pasoja nga pikëpamja e sigurisë sonë dhe nga pikëpamja ushtarake”.
Strategjia e re e sigurisë kombëtare të SHBA, që u publikua javën e kaluar, e përshkruan Evropën si një kontinent ku ka shumë rregullore, censurë dhe i mungon “vetëbesimi”, si dhe po përballet me “zhdukje të civilizimit” për shkak të emigrimit.