Coronavirusi e mund/ Shuhet ish-presidenti i Marseille, Cana e Mbappe mesazhe ngushëllimi

schedule08:57 - 1 Prill, 2020

schedule 08:57 - 1 Prill, 2020

Futbolli në zi. Pape Diouf ka humbur jetën në moshën 68-vjeçare, për shkak të Coronavirusit. Ish-presidenti i Olumpique Marseille, nga viti 2005, deri në vitin 2009, vdiq në Dakar të Senegalit dhe e gjithë bota e sportit po shpreh ngushëllimet për të.

Diouf ishte edhe një gazetar me famë, ndërkohë që për disa kohë ka bërë edhe menaxherin për lojtarë kalibri si Joseph-Antoine Bell, Marcel Desailly, Basile Boli, William Gallas, Samir Nasri dhe Didier Drogba. Pape është një njohje e vjetër edhe për Lorik Canën, që te Marseille ka mbajtur shiritin e kapiteni.

 

Ish-lojtari i kombëtares shqiptare është trishtuar kur ka mësuar lajmin dhe ka shpërndarë një mesazh në rrjetet sociale: “Është një trishtim shumë i madh në këto momente, që unë dhe familja ime mësuam vdekjen e Pape. Ditë e trishtueshme për të gjithë familjen e Marseille. I nderuar që kam qenë miku juaj, lojtar dhe kapiten. Pusho në paqe president”.

NGUSHËLLIMET E SHUMTA – E gjithë bota e sportit ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Pape Diouf, duke nisur nga klubet franceze e për të vazhduar me lojtarë të ndryshëm. Kalidou Koulibaly, i Napolit, e ka bashkatdhetar ish-presidentin e Marseille dhe në rrjetet sociale ka shkruar: “Do na mungosh president”.

 

“Sonte nuk ka vend për rivalitet. Shumë i trishtuar të mësoj vdekjen e një monumenti të futbollit tonë. Ngushëllimet e mia për familjen Diouf”, shkruan ylli i PSG, Kylian Mbappe. Mesazhe të tilla kanë shkruar edhe Nasri, Mendy, Thauvin dhe Ribery. Ky i fundit shkruan: “Jam shumë i trishtuar nga vdekja e Pape Diouf.  Ngushëllime familjes”. /abcnews.al