Coppa Italia/ Fitojnë Monza e Napoli, “Blutë” e Conte spektakël me “manita” ndaj Palermo

schedule23:50 - 26 Shtator, 2024

schedule 23:50 - 26 Shtator, 2024

Janë plotësuar tashmë të gjitha sfidat e raundit të 1/8-ve, të Coppa Italia, me dy sfidat e fundit të raundit paraardhës, Monza-Brescia e Napoli-Palermo që u zhvilluan gjatë kësaj të enjteje.

Kështu, në “Brianteo”, Monza mposhti me rezultatin e thellë, 3-1, duke u rikthyer te rezultatet pozitive për këtë sezon.

Të gjithë golat e vendasve erdhën në pjesën e parë, me Kyriakopoulos, Matteo Pessina e Caprari, që shënuan nga një gol në minutat 5’, 11’ e 40’, ky i fundit me 11-metërsh, ndërsa për golin e nderit të kundërshtarëve mendoi “fantazisti”, 18-vjeçar, Patrick Nuamah në minutën e 68’-të.

Në krahun tjetër, djemtë e Antonio Conte janë treguar të pamëshirshëm, në “Stadio Diego Armando Maradona”, me “Blutë” e Napoli që arritën të shënonin plot 5 gola në portën e Palermo, me titullarët që u aktivizuan vetëm 15 minutat e fundit.

Sipari i golave u çel nga “fantazisti” belg, Cyril Ngonge, i cili shënoi dy gola të shpejtë në minutat 7’ e 12’, ndërsa për të “vulosur” në 3-0 rezultatin në pjesën e parë mendoi Juan Jesus, në të 42’-tën.

Në fraksionin e dytë të lojës erdhën dhe dy gola të tjerë, me David Neres e Scott McTominay, që tundën rrjetën e kundërshtarëve për të plotësuar fitoren e madhe.

Siç theksuam edhe më sipër, tashmë janë plotësuar edhe të gjitha çiftet e raundit të 1/8-ve, të Coppa Italia dhe ecuria deri në çerekfinale, me të gjitha përballjet që janë rreshtuar më poshtë. /i.m /abcnews.al

Faza e 1/8-ve dhe kundërshtarët e mundshëm në çerekfinale:

Juventus-Cagliari vs Fiorentina-Empoli

Bologna-Monza vs Atalanta-Cesena

Milan-Sassuolo vs Roma-Sampdoria

Lazio-Napoli vs Inter-Udinese

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!