Borussia Monchengladbach është surpriza më e bukur e këtij fillim sezoni në Bundesligë. 5 herë kampionët e Gjermanisë renditen në vend të parë dhe ndajnë kreun me Wolfsburgun, me nga 16 pikë.
Një ndër lojtarët më të dalluar të ekipit është Denis Zakaria. 22-vjeçari zvicerian po monitorohet nga disa klube të mëdha të Evropës. Mesfushori shkatërrues, i cili bën mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit, pëlqehet shumë nga Manchester United, Bayern Munchen, Dortmund dhe Tottenham.
Në garë për shërbimet e tij është futur edhe Interi. Bild raporton se zikaltrit janë befasuar nga paraqitjet e lojtarit me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos dhe janë gati të nisin negociatat me klubin gjerman.
Antonio Conte dëshiron një mesfushor shkatërrues në merkaton e janarit. Nemanja Matic është një nga emrat që përflitet për këtë rol, ndërsa tani i gjithë fokusi është hedhur drejt Zakarias. Gladbah kërkon 50 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin. /abcnews.al