Conte “blindon” skuadrën, te Napoli zbarkojnë dy “yjet” e Premier League

schedule16:36 - 29 Gusht, 2024

schedule 16:36 - 29 Gusht, 2024

Mund të konsiderohen edhe si transferime të mëdha.

Ardhja e teknikut, Antonio Conte në krye të stolit të Napoli ka sjellë padyshim ndryshime të mëdha brenda tre herë kampionëve të Italisë e këto ndryshime kanë filluar që nga merkatoja me strategun italian, që i pati të qarta qëllimet e tij, me t’u emëruar në detyrën e tij të re.

Kështu, pas transferimeve të Buongiorno, David Neres, Rafa Marin e Leandro Spinazzola, “Blutë” kanë siguruar firmat e dy lojtarëve të rinj, këtë të enjte, lojtarë të cilët mund të konsiderohen edhe “yje” të Premier League.

I pari është “bomberi” belg, Romelu Lukaku, i cili pas tre sezonesh u bashkua sërish me teknikun e tij të preferuar, me këtë të fundit, që e ktheu sulmuesin, në një prej më të mirëve të botës, në kohën kur të dy ishin pjesë e “Zikaltërve” të Inter e madje arritën të fitonin edhe titullin kampion.

Për kartonin e tij, Napoli derdhi në arkat e Chelsea plot 30 milionë euro, si dhe i ofroi belgut një kontratë 3-vjeçare, nga e cila pritet të fitojë rreth 7 milionë euro në sezon, pa llogaritur këtu bonuset.

Afrimi tjetër vjen nga “Djajtë e Kuq”, të Manchester United, me Presidentin De Laurentiis, i cili kërkonte me ngulm skocezin Scott McTominay, në “Maradona”, për këtë sezon, me 27-vjeçarin, që shihet si zëvendësuesi perfekt i polakut të larguar, Piotr Zielinski.

Ashtu si për “bomberin” belg edhe për kartonin e McTominay, bordi i Napoli derdhi në arkat e United shifrën e 30 milionë euro, teksa pritet t’i ofrojnë “shtatlartit” të mesfushës, një kontratë 4-vjeçare, me opsion rinovimi për një tjetër vit, si dhe një pagë që pritet të kapë vlerat e 5 milionë eurove. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!