Kingsley Coman është rikthyer të flasë për futboll. Sulmuesi i majtë francez ishte heroi i Bayern Munchen në finalen e Champions League kundër PSG. Goli i tij i dhuroi vendosi sfidën dhe i dhuroi bavarezëve trofeun e madh.
Në një prononcim për Sky Germania, 24-vjeçari e cilëson si golin më të rëndësishëm të jetës atë kundër kampionëve të Francës, flet rreth duelit të Superkupës së Evropës ndaj Sevillas (24 shtator) dhe beson se Bayerni do të fitojë sërish tripletën në sezonin e ardhshëm.
“Goli i shënuar në finalen e Champions League më krijoi një ndjesi të mrekullueshme. Sigurisht që ishte goli më i rëndësishëm në karrierën dhe jetën time. Nuk e shijova në maksimum për momentin, pasi PSG mund të na barazonte, kështu që duhet të vijonim të ishim shumë të përqendruar.
Finalja e Superkupës? Sevilla është një kundërshtar shumë i vështirë. Ne jemi favoritë, e vërtetë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm pasi ata mposhtën Interin. Jemi shumë të motivuar për sezonin e ri. Duam të fitojmë sërish tripletën, duam të fitojmë çdo trofe të mundshëm“, deklaron lojtari francez. /abcnews.al