Ende nuk pritet që të fitojë gara, por besohet se shpejt do t’ia dalë.
Lara Kolturi të paktën po tregon një vazhdimësi për t’u admiruar në Kupën e Botës për ski alpine, duke e mbyllur vitin në vendin e 12-të në renditjen e përgjithshme.
Ky mbetet edhe objektivi, ndonëse skiatorja kuqezi është mjaft ambicioze.
Në pistën e shquar të Zemeringut në Austri, Kolturi doli e 14-ta në një garë të ashpër të sllallomit për femra, ku ajo ishte më e reja.
Adoleshentja italo-shqiptare sidomos u paraqit shumë mirë në zbritjen e dytë duke dhënë kohën 53”18, rreth një sekondë larg kroates Zrinka Ljutiç, që në fund fitoi edhe garën.
Në total, në të dyja zbritjet, Kolturi arriti rezultatin 1’47”03, 3”70 prapa kroates, që në moshën 20-vjeçare u bë e para nga vendi I saj që fiton një garë në Kupën e Botës pas 18 viteve.
Viti 2024 duhet të quhet mjaft i sukseshëm për 18-vjeçaren kuqezi, në të dyja disiplinat, në slalom dhe në sllallomin gjigand, duke qenë 10 herë mes 15 më të mirave në Kupën e Botës, ndërsa veçohet vendi i dytë në Gurgl më 23 Nëntor.
Kupa e Botës rikthehet më 4-5 janar të vitit të ardhshëm, në Kranjska Gora të Sllovenisë, ndërsa Lara është vetëm 6 pikë larg vendit të 10-të në renditje. /abcnews.al