Colella: E dinim që Kukësi do luante fort, nder të jem trajner i këtij klubi. Derbi? Tani mendojmë për Tiranën

schedule17:45 - 19 Shtator, 2022

schedule 17:45 - 19 Shtator, 2022

Partizani rimerr sërish kreun pas fitore ndaj Kukësit me shifrat 2-1. Një fitore e vuajtur për demat e Giovanni Colella, por që vlejnë shumë kur vjen ndaj një kundërshtari të fortë.

I këtij mendimi është trajneri i të kuqve, me Colellën që për “Oversport” shfaqet i kënaqur për lojën që zhvilluan të tijtë, ndërsa për goditjen e Tedi Carës, tekniku theksoi se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin në futboll.

“Episodin e Carës nuk di si ta përkufizoj, sepse janë gjëra që nuk duhen të shihen në një ndeshje futbolli. Ndeshja ishte shumë e vështirë, e dinim që Kukësi do të luante fort dhe u treguam të zotë që luajtëm edhe ne fort. Nuk ishte një ndeshje që luhej me thikë të vogël, por me shpatë të madhe. Më pëlqeu qasja e skuadrës, tregon se edhe të rinjtë janë rritur dhe skuadra ka rritur nivelin e saj.

Gjykimi? Nuk i vë nota gjyqtarëve, por gjatë ndeshjes ka ndonjë moment nervozizmi që përfundon aty. Roli i Masangas? Kam shumë lojtarë të mirë, edhe para hyrjes së tij skuadra po luante mirë, i aktivizoj lojtarët që kam në dispozicion bazuar në formën dhe kundërshtarin.

Derbi pas 2 javësh? Çdo fitore dhe çdo ndeshje është e rëndësishme. U përqendruam te Kukësi, tani avash-avash do të mendojmë për Tiranën. Është nder të jem trajner i një klubi kaq të madh dhe jam i kënaqur me punën që po bëjnë djemtë”, ka thënë Colella. /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!