Çoçlli: Hyseni e Lika kanë thyer disiplinën, mosha e re nuk të jep garanci

schedule15:17 - 21 Shkurt, 2020

schedule 15:17 - 21 Shkurt, 2020

Nikolin Çoçlli, trajneri i Luftëtarit, doli sot para mediave dhe foli për gjendjen në skuadrën e tij, që nesër luan në transfertë kundër Vllaznisë. Në analizën e tij ai përmend moshën e re të skuadrës së tij, që nuk jep garanci për vazhdimësi në lojëra dhe rezultate. “Çunat janë të rinj dhe të gjithë duan të luajnë, ai është qëllimi kryesor në këto kushte.

Duan minuta dhe mundësi në fushë. Jemi munduar t’u japim hapësira të gjithave. Çdo skuadër ka probleme në vazhdimësi. Kam kërkuar vazhdimësi që në fillim, por kjo moshë nuk të jep shumë garanci. I keni parë edhe rezultatet, me luhatje. Është vetë mosha që nuk ta garanton këtë. Edhe lojtarët nuk e kanë të sigurt formacionin, ndaj ka edhe ndryshime”, shprehet Çoçlli.

Luftëtari ka pezulluar dy lojtarë, Gresild Likën dhe Erald Hysenin. Trajneri i Luftëtarit, i pyetur në lidhje me ta, ka deklaruar: “Ata janë lojtarë që kanë thyer disiplinën dhe janë penalizuar sipas rregullores së brendshme të klubit. Ka një rregullore që të gjithë duhet ta respektojnë, nga unë i pari. Pa rregulla nuk funksionon asnjë skuadër”.

 

Gresild Lika

I pyetur nëse prurjet e janarit nuk kanë qenë në nivelin e duhur, Çoçlli është shprehur: “Lojtarët janë të rinj dhe normalisht nuk kemi marrë titullarë. Vetë ambienti nuk e suportonte. Janë lojtarë të rinj që kanë nevojë për më tepër kurajo. Ndoshta edhe situata i ka penalizuar. Të rinjtë e kanë të vështirë të jenë protagonistë, për shkak të ambientit dhe gjendjes emocionale. T’i shohim në vazhdimësi. Oshafi? Nuk ka asgjë jashtë futbollit. Vjen pas një dëmtimi. Demo kishte luajtur në Kupë dhe ishte i ngarkuar. Vendosëm ta lëmë pushim”.

Trajneri i bluzinjve është pyetur edhe në lidhje me objektivat: “Në çdo ndeshje tentojmë të bëjmë më të mirën. Këtë e kam thënë gjithmonë. Edhe në Shkodër do vazhdojmë me këtë synim, aq më tepër që klima në skuadër është rregulluar, ka më shumë entuziazëm dhe qetësi”. Luftëtarit i mungojnë pikët dhe Çoçlli në mbyllje deklaron:  “Pikët janë gjëja më e mirë që do një skuadër apo trajner. Duke parë skuadrat me të cilat jemi përballur, justifikohen pikët. Me Flamurtarin nuk ka justifikim. U futëm ta fitojmë ndeshjen, por nuk ia dolëm. Shpresojmë t’ia dalim në vazhdim”. / abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!