“Rënia e papritur e Kabulit dhe pushtimi i Afganistanit nga ana e talebanëve ka lënë shumë nga partnerët e vjetër të Amerikës të pyesin se çfarë do të bëhet me rendin ndërkombëtar të bazuar në vlera, të udhëhequra nga SHBA. Ndërsa tërheqja e trupave nga Presidenti Joe Biden deri më 31 gusht është e pashmangshme, shpejtësia me të cilën situata zbriti në kaos dhe mungesa e fleksibilitetit të Shtëpisë së Bardhë i ka lënë aleatët në ajër” shkruan “CNN”.
Të martën, udhëheqësit e “G7” të udhëhequr nga kryeministri britanik Boris Johnson, i bënë presion Presidentit amerikan që të zgjasë afatin në mënyrë që të largohen nga vendi qytetarët e huaj, njerëzit afganë që kanë ndihmuar trupat aleate dhe grupet e tjera të cenueshme. Por Biden qëndroi i vendosur.
“Aleatët e Amerikës më së shumti në Evropë e shohin se Shtetet e Bashkuara po largohen, duke larë duart” shkruan më tej “CNN”. Arsyeja pse kjo është kaq e vështirë për t’u gëlltitur nga aleatët është sepse shumica e politikës së jashtme të botës, veçanërisht në Evropë, bazohet në supozimin se angazhimet e Shteteve të Bashkuara ndaj rendit perëndimor të bazuar në vlera, përmes OKB-së dhe NATO-s, janë të hekurta.
Duke folur të martën në lidhje me takimin e tij me “G7”, Biden tha për shtypin: “Ne biseduam për detyrimin tonë të ndërsjellë për të mbështetur refugjatët dhe të evakuuarit që po largohen nga Afganistani. Të gjithë ne pajtohemi se do të qëndrojmë krah për krah me partnerët tanë më të afërt për të përmbushur sfidat aktuale me të cilat përballemi në Afganistan, ashtu siç kemi bërë në 20 vitet e fundit” tha ai.
Por shumë kanë dyshime se çfarë do të thotë kjo në realitet. “Për mua, kjo tregon se është fundi i një epoke gjeopolitike, e cila kishte të bënte me krijimin e një rendi ndërkombëtar liberal dhe fillimi i një të riu, i cili ka të bëjë me konkurrencën midis Kinës dhe Amerikës” tha Mark Leonard./ Abcnews.al