Sipas raportimeve të CNN, e cila citon disa burime, Koreja e Veriut mund të përgatisë një tjetër hedhje rakete. Përpjekjet vijnë pas samitit të dështuar në Hanoi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong Un.
Mediat amerikane raportojnë, duke u bazuar dhe në disa fotografi satelitore, se Koreja e Veriut është shumë pranë hedhjes së një rakete të re. Disa burime të cituara nga CNN raportojnë se përpjekja e radhës vjen pas samitit të dështuar në Hanoi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit koreanoverior Kim Jong Un.
Pamjet satelitore janë publikuar eksluzivisht nga faqja në internet e rrjetit radiofonik publik amerikan NPR. Në fotografi duken disa automjete të mëdha në një qendër të njohur ku Peniani ka mbledhur pjesën më të madhe të vektorëve balistikë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Trump, reagoi duke thënë se do të ndihej shumë i zhgënjyer nëse do të kishte sërish hedhje raketash, por koha do e tregojë atë që do të ndodhë.
Fotografitë tregojnë dhe vagonë treni dhe dy vinça, lëvizje që në të kaluarën i kanë paraprirë testeve të raketave bërthamore. Por analistët mendojnë se në këtë fazë, Peniani po përgatitet për të lëshuar një satelit dhe jo të provojë një raketë. Gjithsesi sipas Uashingtonit dhe kjo lëvizje do të ishte në kundërshtim me impenjimet që lideri koreanoveriore mori përsipër gjatë dialogut me Trump.
Lajmi vjen pasi në fillim të kësaj jave, pamje të tjera satelitore treguan rifillimin e aktivitetit në një impiant për hedhjen e raketave në bregun perëndimor të vendit. Edhe sipas BBC, Koreja e Veriut po provokon Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dështimit të bisedimeve në Hanoi, duke shpresuar që Trump të ofrojë një marrëveshje më të mirë për të shmangur testimin e një rakete të re./abcnews.al