Ivo Andric, nobelisti serb dhe në të njëjtën kohë, diplomat dhe ideolog që parashikon dhe ideon shpërnguljen e shqiptarëve, spastrimin etnik dhe daljen e Serbisë në Adriatik, është më shumë sesa një figurë kontraverse. Mjafton të lexosh elaboratin e tij të vitit 1939të quajtur Draft për Shqipërinë, për të kuptuar se shkrimtari dhe diplomati e ideologu serb, duhen lexuar vec e vec. Jo rastësisht, ai fillon me daljen e ushtrisë serbe në Adriatik. Sipas aneksit të fshehtë të Marrëveshjes për Aleancën në mes të Bullgarisë dhe Serbisë, të datës 26 shkurt të vitit 1912, Serbisë i njihej e drejta në territoret e mbajtura deri në atë kohë nga perandoria osmane në Veri dhe në Perëndim të malit të Sharrit. Trupat serbe më 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan tërë Shqipërinë Veriore, deri në Tiranë e në Durrës, duke kërkuar të merrnin nën kontroll këtë pjesë të Adriatikut. Megjithatë Konferenca e Ambasadorëve në Londër, më 20 dhjetor të vitit 1912 I dha Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, më 20 mars të vitit1913 vendosi që Shkodra ti dorëzohej Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranonte vendimin e fuqive të mëdha; për këtë e mbështeti Serbia, e cila dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Mëdha vendosën më 21 mars 1913, të bënin demonstrimin detar, nga i cili u përmbajt vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Tivarit, i detyruan trupat serbe të tërhiqeshin nga pozicionet afër Shkodrës.
Andric pohon se me pjesën e fshehtë shtesë të Marrëveshjes së aleancës midis Greqisë e Serbisë e 19 majit 1913, u ndanë sferat e interesit të Greqisë dhe Serbisë në lidhje me Shqipërinë. Territori që shtrihej në veri të grykëderdhjes së lumit të Semanit në det, deri te Gryka e Devollit, dhe përgjatë Devollit deri në malin e Kamjes, bënte pjesë në sferën e ndikimit serb. Pjesa jugore e Shqipërisë, nga kjo vijë, bënte pjesë në sferën e ndikimit grek. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet do të merreshin vesh për qëndrimin që do të mbanin.
Diplomati Andric flet edhe për pikëpamjen e Nikolla Pashiç, ministër i jashtëm dhe kryeministër I Jugosllavisë së asaj kohe, I cili kishte nënshkruar marrëveshje me Esat pashë Toptanin më 1914 në Nish, dhe me Ahmet Zogun në Beograd në vitin 1924, duke thënë se në vitin 1919, Pashic njoftoi qeverinë në Beograd se kishte ardhur koha, që të shtrënguar nga rrethanat, të ndryshonin politikën e tyre ndaj Shqipërisë. Ai kërkon që Mati dhe Drini të jenë kufijtë e Jugosllavisë së kohës me protektoratin Italian të Shqipërisë. Andric thotë gjithashtu se ata luftuan kundër italianëve duke bërë për vete me para, parinë shqiptare duke iu ofruar idetë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani, popujve të Ballkanit”. Ndjehet mes rreshtash, zhgënjimi I Andric për vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, që në nëntor të vitit 1921 vendos njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran. Fuqitë e Mëdha i njohin Italisë vetëm interesin e saj të posaçëm për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe Shqipëria hyri në Lidhjen e Kombeve.
“Para Konferencës së Ambasadorëve, edhe një herë provuam, por pa sukses, që të realizonim korrigjimin e kufirit në drejtim të Shkodrës dhe të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike, kurse për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të trafikut. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar, që nuk e ka miratuar, në atë kohë, propozimin e Francës për ndarjen e Shqipërisë. Pashici qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit kishte refuzuar”. Që të mos lejonim italianët në Vlorë, ne u detyruam të hiqnim dorë nga Shkodra dhe kufirit deri në Drin.”
Duke folur për të ashtuquajturën Republika e Mirditës, Ivo Andric thotë se mbretëria serbo-kroate-sllovene, nënshkroi në vitin 1921 me bajraktarët e Mirditës marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila parashihte formimin e shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të mbretërisë serbo-kroato-sllovene dhe interesat të cilit në botën e jashtme do ti përfaqësonte qeveria e Beogradit.
“Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje, kurse ne qemë akuzuar dhe dënuar para Lidhjes së Kombeve.”
Ndërkohë që situate në Evropë duket gjithnjë e më e turbullt, pakti i Romës i janarit të vitit 1924, iu imponon edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë.
“Kjo, megjithatë nuk pengoi qeverinë italiane që të ndihmonte Fan Nolin, në qershor të vitit 1924, që të organizonte kryengritjen kundër Ahmet Zogut, dhe as qeverinë tonë, që në dhjetor të të njëjtit vit ti mundësonte Ahmet Zogut që të futej në Shqipëri nga territori ynë dhe të merrte pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk mund t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” shqiptarë, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe premtonin besnikëri e bashkëpunim, ndërkohë që në rastin më të parë ndërronin orientimin.”
Ivo Andric pohon se Pashic udhëzonte përfaqësuesit e tij në në Shqipëri, duke iu thënë:
“Ne dëshirojmë Shqipëri të pavarur, por edhe Shqipëri të dobët dhe të paqëndrueshme.”
Ivo Andric thotë se kjo nuk ishte e mundur të realizohej.
“Shqipëria e dobët dhe e trazuar ishte e detyruar të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje atje ku mund të gjente. Regjimi i cili ishte i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, ndërsa ai të cilin ne dëshironim ta rrëzonim, kërkonte mbrojtje nga Italia.”
Andric thekson se politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani – popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur në kohën e tij në luftë kundër Perandorisë Osmane dhe kundër Monarkisë Austro-Hungareze.
“Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi shikuar garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim ndërmjet popujve të Ballkani dhe për zhvillim normal të popujve ballkanas. Prania e një Fuqie të Madhe në Ballkan, është derë e hapur për intriga dhe pushtime.”
Duke folur përsëri për ndarjen e Shqipërisë, Andric thotë se ata do të duhej të kërkonin kufirin përgjatë lumit të Matit dhe Drinit të Zi, luginat e Liqenit të Ohrit dhe Prespës, duke përfshirë edhe Pogradecin, fshatrat e Malit të Thatë dhe ato midis Prespës dhe Korçës.
“Marrja e Shkodrës me këtë rast do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte që të bënim punime të mëdha hidroteknike dhe të përfitonim tokë pjellore për ushqim për Malin e Zi. Shqipëria Veriore në kuadër të Jugosllavisë do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të trafikut të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare të Kosovës, e cila në situatën e re lehtësisht do të asimilohej. Ne do të mund të kishim 200.000 deri në 300.000 shqiptarë, por këta shumica janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë asnjëherë të mira. Çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë në Turqi do të bëhej gjithashtu në rrethana të reja, sepse nuk do të kishte fare veprime të ashpra për pengimin e tij.”
Ivo Andric, I lindur në fshatin Dollac afër Travnikut në Bosnjë në 1892, kishte qenë gjithashtu ambasadori I fundit jugosllav në Berlin dhe kur Gjermania pushtoi Jugosllavinë në 1941, u kthye në Beograd ku vdiq më 13 mars 1975. Çmimi Nobel në Letërsi iu dha në vitin 1961 me motivacionin “për forcën epike me të cilën ka gjurmuar temat dhe ka përshkruar fatet njerëzore të nxjerra nga historia e vendit të tij”. Nobeli i referohej Bosnjës si atdhe i Andricit, pikërisht i asaj Bosnjë, që disa dekada më vonë, do të vuante ferrin e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Vetë Andric e kishte parashikuar këtë në një mënyrë ogurzezë:
“Nuk duhet të kesh frikë nga njerëzit. Epo, unë nuk kam frikë nga njerëzit, por nga ajo që është çnjerëzore tek ata.”
Dhe përtej Andricit shkrimtar, elaborati i tij si diplomat për shqiptarët, do të tregonte anën e tij më cnjerëzore, atë që bashkëkombasit e tij, u përpoqën ta bënin realitet gjithashtu disa dekada më vonë. /abcnews.al/