Çmimi i naftës vazhdon të rritet pavarësisht masave urgjente

schedule07:42 - 2 Mars, 2022

schedule 07:42 - 2 Mars, 2022

Çmimet e naftës janë rritur pavarësisht masave të reja që mëtojnë të stabilizojnë tregjet pas pushtimit rus në Ukrainë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, ka arritur në 110 dollarë për fuçi, duke shënuar rritjen më të madhe në shtatë vjetët e fundit.

Çmimi është rritur pasi anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji janë pajtuar për të lëshuar në treg 60 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente.

Shtetet e Bashkuara dhe 30 vende tjera anëtare të kësaj Agjencie kanë thënë se me këtë veprim synojnë të stabilizojnë tregjet.

Rusia është një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në botë.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, bota është shqetësuar për ndikimin e kësaj situate në tregjet e naftës dhe gazit.

Çmimet e naftës janë rritur edhe në Shtetet e Bashkuara – 109 dollarë për fuçi.

“Ne jemi të përgatitur për të shfrytëzuar secilin mjet të mundshëm për të shmangur pengesat në furnizimet me energji si pasojë e veprimeve të presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të martën.

Ajo ka thënë se Uashingtoni do të analizojë mundësi si të shmangë varësinë për energji nga Rusia.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!