Eksperti për Sipërmarrjet, Rezart Lahi i ftuar në “Money Report” në ABC News, teksa foli për çmimet e naftës, tha se vendi ende nuk është në situatën ku është i nevojshëm Bordi i Transparencë.
Gjatë intervistës, Lahi nënvizoi se vendi aktualisht nuk ndodhet, si në situatën e luftës Rusi-Ukrainë, duke shtuar se po të ndërhyhet në këtë moment me një Bord Transparence atëherë biznesi i vogël do të jetë ai që dëmtohet.
“Në gjykimin tim sërish është herët dhe nuk besoj se Bordi i Transparencës do kishte nevojë për ndërhyrje. Nuk jemi në kushtet e emergjencës. Dhe është një vetërregullim i tregut. Në këtë moment për të ndërhyrë shteti dëmtohet biznesi i vogël. Pra është pak problematike ndërhyrja direkte”, tha ai.
Më tej gjatë intervistës shtoi se nuk ka vend për panik, duke shtuar se është ende shumë herët për të parë nëse do ketë ndikim te produktet e shportës.
“Por nëse lufta vazhdon edhe për disa muaj të tjerë do ketë ndikim te çmimet, por nëse ndërpritet dhe arrihet paqe, nuk besoj se do ketë ndikim te shitjet me pakicë. Por nëse lufta do ketë vazhdimësi, atëherë mund të flasim për një tjetër situatë. Por kontrollohet duhet të bëhen jo vetëm kur ka luftë, por edhe kur nuk ka luftë. Pra duhet të shihet përpunimi e mirëmbajtja”, tha ndër të tjera ai, duke shtuar: “Ne po bëjmë më shumë biznese për kamerierë se inxhinierë, pra po vazhdojmë te logjika e bizneseve shumë të vogla. Një tjetër problem që shihet është rishpërndarja, mbi 77 % e verës tregtare të biznesit në Shqipëri është vetëm në Tiranë”.
/abcnews.al/


