Çmimi i lartë i karburanteve, Xhixho-thirrje qeverisë: Ndërprisni pagat për inceneratorët, mbështesni të varfrit e fermerët

schedule16:30 - 21 Qershor, 2022

schedule 16:30 - 21 Qershor, 2022

Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho ka reaguar për çmimin e lartë të karburantit në vend. Me anë të një postimi në llogarinë e saj në Facebook, deputetja shkruan se Bordi i Transparencës më vend që të mbrojë qytetarët nga rritja abuzive e çmimit, ka miratuar rritjen progresive të tij, javë pas jave.

Xhixho sjell në vëmendje rastin e Gjermanisë që ka miratuar abonenë e re mujore për transportin publik, e cila nga 80 euro është ulur në 9 euro për distanca deri në 50 km.

Deputetja e LSI-së i bën thirrje qeverisë që të ndërpresë pagesat e inceneratorëve, të pezullojë taksën e qarkullimit dhe të karbonit dhe të mbështesë shtresat në nevojë e fermerët.

ERISA XHIXHO NË FACEBOOK
Shqipëria është vendi i dhjetë në botë për çmimin e lartë të naftës.
Sipas Global Petrol Price, në Zvicër, nafta shitet vetëm 0.3 dollarë më shtrenjtë se në Shqipëri.
Nëse hyjmë në grupin e vendeve të pasura për çmimin e naftës, jemi shumë larg tyre për standardet e jetesës ku 30% e popullsisë jeton nën 5 dollarë në ditë.
Bordi i Transparencës, që në fakt është bord zhvatjeje dhe aspak transparent, në vend që të mbrojë qytetarët nga rritja abuzive e çmimit, miraton rritjen progresive të këtij të fundit javë pas jave.
Ndërkohë, vende të përgjegjshme si Gjermania, ka miratuar abonenë e re mujore për transportin publik, e cila nga 80 euro ulet në 9 euro për distancat deri në 50 kilometër, ndërsa ka ulur edhe akcizën për naftën. Taksimi mbi karburantet është ulur edhe në vende të tjera të Europës.
Ndërprit pagesat e inceneratorëve, skemës më kriminale të vjedhjes së taksave të qytetarëve!
Pezullo taksën e qarkullimit dhe të karbonit!
Mbështet të varfrit, fermerët që sot janë në mjerim!  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!