Inflacioni u rrit lehtë gjatë prillit duke arritur një normë prej 2.3%, nga 2.1% që ishte ky tregues në maj. Referuar institutit të statistikave, tendenca e shtrenjtimit të çmimeve është vërejtur thuajse në të gjitha grupet, me përjashtim të Transportit pasi tashmë çmimet e karburanteve janë stabilizuar edhe në tregun vendas.
Muajin e kaluar, çmimet e ushqimeve panë një rritje me gati 1.2%, por shumë e ngadaltë se krahasuar me prillin e vitit 2024. Rritje e lehtë e çmimeve është reflektuar po ashtu edhe për arredimin e mobilimin e shtëpisë, teksa më shtrenjtë ka kushtuar edhe argëtimi.
Ky shtrenjtim i lehtë i çmimeve veçanërisht për artikujt ushqimor apo për shërbimet mund ti atribuohet edhe festës së pashkëve.
E kundërta ka ndodhur me çmimet e veshjeve e këpucëve si dhe grupit të shëndetit, pasi në raport me marsin shënuan një ulje me 0.1% secili. Me gjithë tendencën e lehtë në rritje, norma e inflacioni qëndron poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Sipas institucionit, ky objektiv pritet të arrihet të paktën në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, i ndihmuar edhe nga stabilizimi i çmimeve në tregjet globale por edhe nga ecuria e kursit të këmbimit.
Megjithatë, ka një risk të shtuar për ecurinë e inflacionit që lidhet me politikat tregtare dhe ekonomike të njoftuara tashmë nga presidenti amerikan Donald Trump, ku vendosi taksë 10% edhe për mallrat shqiptare. Por, duke marrë në konsideratë volumin e ulët tregtar me Amerikën, ndikimi direkt pritet të jetë shumë i vogël në këtë drejti. /abcnews.al