Çmimet e ushqimeve kapin shifra rekord

schedule12:19 - 8 Mars, 2022

schedule 12:19 - 8 Mars, 2022

Çmimet vijojnë të rriten me ritme tepër të larta në vend, aq sa punonjësit e marketeve të mëdha nuk kanë më mundësi fizike për ndryshimin e etiketave nëpër rafte.

INSTAT nxorri sot të dhënat e Indeksit të Çmimeve të Konsumit, që paraqesin shportën e mallrave dhe shërbimeve që kunsumon një familje gjatë një muaj, të cilat rezultojnë se janë rritur me 3.9 për qind.

Shtrenjtimi më i madh ka ndodhur te çmimet e ushqimeve, të cilat përbëjnë edhe përqindjen më të madhe të shpenzimeve mujore për familjet shqiptare.

Mësohet se ushqimet gjatë shkurtit janë rritur me 6.9 për qind, duke kapur një rekord gjatë viteve të fundit.

Një vit më parë, inflacioni i ushqimeve ishte vetëm 3.2%, çka tregon qartë ritmet e larta të shtrenjtimit të këtyre produkteve. Sipas Instat, produktet që janë shtrenjtuar më shumë krahasuar me një vit më parë janë ato të nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet”, me 16.4%, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 10.1%, “fruta” me 7%, “bukë dhe drithra” me 6.8%, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 6.7%, “mish” me 3.9%, “qumësht, djathë dhe vezë” me 3.3%.

Inflacioni i grupit “transporti” për shkurtin arriti në 10.4%, nga 9% që kishte qenë në janar. Kjo reflekton efektin e rritjes së shpejtë të çmimit të karburanteve gjatë muajve të fundit. Vetëm nëj vit më parë, inflacioni i grupit “transporti” ishte negative, në masën -3.9%, çka dëshmon qartë përmbysjen e madhe të tendencës së çmimeve të karburanteve dhe rreziqe gjithnjë e më të mëdha që ky shtrenjtim po sjell për të prodhuar një spirale inflacioniste në ekonomi.

Eksperienca e viteve të shkuara ka treguar se janari dhe shkurti janë muaj me çmime të ulta për shkak të shpenzimeve që bëjnë qytetarët gjatë fundit të vitit, ndërsa pritet që gjithçka të shtrenjtohet edhe më tepër gjatë këtij muaji. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!