Çmimet e reja në Kosovë, si do të llogaritet fatura e energjisë së shpenzuar

schedule07:28 - 20 Janar, 2022

schedule 07:28 - 20 Janar, 2022

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka publikuar një kalkulator për llogaritjen e faturave të energjisë elektrike, pas propozimit të ndryshim të tarifave. Në këtë kalkulator gjenden hapësirat A1 dhe A2 ku qytetarët mund ta vendosin shifrën e kilovatëve të shpenzuar gjatë periudhës së ditës dhe asaj të natës.

Qeveria e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët që harxhojnë më shumë se 600 kWh energji.

E sot, zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar kalkulatorin për llogaritjen e faturës të energjisë elektrike, në të cilin qytetarët mund të plotësojnë të dhënat dhe të llogarisin sesa do të jetë vlera e faturës me tarifat e reja të propozuara nga ZRRE-ja.

Në shtyllat e kalkulatorit për konsumin, qytetarët duhet të vendosin kilovatët që shpenzojnë gjatë ditës në njërën rubrikë (A1) dhe ato gjatë natës në rubrikën tjetër (A2). Këto të dhëna qytetarët mund t’i marrin në faturë e rrymës.

Te pjesa ku shkruan konsumi mujor, janë rubrikat A1 (shpenzimi i rrymës gjatë ditës) dhe A2 (shpenzimi i rrymës gjatë natës).

Vlera të cilin do ta paguajë qytetari gjendet te rubrika “Fatura me subvencionim”.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka propozuar që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

ZRRE propozon që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 12.31 eurosh. Ndërsa, konsumatorët që shpenzojnë 1,000 kWh rrymë në muaj të paguajnë 24.62 euro më shumë të çmimit të rrymës.

Po ashtu, propozohet që tarifat e energjisë elektrike të ndryshohen në mënyrë që për konsumatorët biznesor të paguajnë 9 për qind më shumë.

Rritje e çmimit të rrymës me të njëjtën përqindje është propozuar edhe për amvisëritë, të cilat konsiderohet se shpenzojnë deri në 600 kWh energji në muaj.

Për këtë propozohet që aplikimi i tarifës prej 0.21 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në kohën e tarifës së lartë gjatë ditës dhe 0.09 euro/kWh për energjinë e shpenzuar në tarifën e ulët gjatë natës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media është pyetur rreth propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të rikthehen bllok-tarifat e energjisë duke propozuar që çmimi i energjisë për ata që konsumojnë mbi 600 kilovat të dyfishohet.

Kurti i pyetur se a mund të përballojnë qytetarët këtë shtrenjtim të energjisë elektrike, nuk ka folur shumë, duke thënë se do të paraqes qëndrimin e tij në një konferencë për media gjatë ditës së sotme.

Por, ajo që ka thënë Kurti është se Qeveria që ai e drejton është duke e trajtuar intensivisht këtë problematikë.

“Unë sigurisht që e kuptoj këtë brengë që është e të gjithë neve dhe qeveria është intensivisht duke e trajtuar këtë gjë, mirëpo . Sot do të jem në një konferencë për medie ku do të shprehim qëndrimin tonë dhe do tu përgjigjemi pyetjeve tuaja”, ka thënë Kurti në një adresim për media.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e Kosovës ka miratuar rekomandimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike për disa kategori.

Sipas vendimit, shumicën e subvencionimit nga shteti praktikisht pritet ta përfitojnë bizneset, derisa energji elektrike pa rritje të çmimit do të paguajnë vetëm ato familje që arrijnë të mos shpenzojnë mbi 600 kwh në muaj.

Bazuar në të dhënat e Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), konsumi mesatar nga viti 2012 – 2020 për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh në muaj është rreth 460 kWh/muaj.

Konsumi mesatar gjatë 2021-së për amvisëritë që shpenzojnë mbi 300 kWh/muaj energji elektrike është rreth 440 kWh. Gjatë vitit, 44 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë prag në asnjë muaj. /Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!