Çmimet e kroasantëve vendas rriten përsëri, për shkak të shtrenjtimit të miellit, vajit dhe margarinës

schedule10:54 - 2 Maj, 2022

schedule 10:54 - 2 Maj, 2022

Shtimi i kostove të produkteve vendase ushqimore nga shtrenjtimi i energjisë, çmimit të vajit dhe miellit priten të reflektohen në ditët në vijim me rritje tjetër të çmimeve.

Çmimet e kroasantëve apo brioshëve të paketuar të prodhuar në vend do të rriten përsëri.

Kompanitë e shitjes me shumicë të mallrave ushqimore kanë lajmëruar tregtarët e pakicës se nga 1 Maji do të rriten të gjitha çmimet për llojet e kroasantit (briosh) të prodhuar në vend “Belino” të kompanisë “Elka”.

Burimet nga tregu pohuan se çmimi i minikroasantëve nga 40 lekë do të shkojë në 45 lekë (rritja 12,5 %); i kroasantit në paketim të mesëm nga 38 në 48 lekë (rritja 26%) dhe paketimi i madh nga 87 në 110 lekë (rritja 26,4 %).

Përfaqësues të kompanisë “Elka” të kontaktuar nga “Monitor” thanë se për shkak të rritjes të kostove në harkun kohor të një viti janë detyruar të rrisin çmimet për këtë produkt mesatarisht 15-20%. Sipas tyre rritja nisi që nga muaji janar i vitit të kaluar kur çmimi i energjisë u shumëfishua.

“Rritja ka nisur që në muajin janar të cilat reflektuan koston e çmimit të lartë të energjisë elektrike. Shtrenjtim të lartë pati edhe çmimi i miellit, vajit, margarinës 100%, karburantit që kanë ndikuar te shtimi i kostove të prodhimit. Këtë valë çmimesh në kosto jemi munduar ta transferojmë në çmime në mënyrë të përshkallëzuar, duke e amortizuar edhe te të ardhurat”.

Aktualisht në tërësi tregu i kroasantëve duke përfshirë edhe atë të brendeve ndërkombëtare “Molto” dhe “7dayws” ka shënuar rritje. Nga fillimi i këtij viti kroasanti “Molto” në dyqanet e pakicës nga 60 lekë shitet 70 lekë (rritja 16,6%), ndërsa “7days” nga 70 lekë në 80 lekë (rritja 14%). Përveç shtrenjtimit të lëndëve të para prodhuese në tregjet ndërkombëtare, rritja është ndikuar edhe nga kostot e larta të transportit. /D.Azo/Monitor/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!