Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Çmend Italinë me qoftet e gjyshes, Elona Muça pushton Italinë me shijen e Elbasanit

schedule11:57 - 29 Shtator, 2026

schedule 11:57 - 29 Shtator, 2026

Nga recetat e vjetra të gjyshes te kuzhina luksoze e avionëve privatë, historia e Elona Muçës është një ndërthurje e veçantë e sipërmarrjes, dashurisë dhe traditës shqiptare. E larguar drejt Italisë në vitin 2005 për të studiuar Ekonomi dhe Statistikë për Bizneset, Elona mendonte se pas diplomimit do të kthehej në Shqipëri. Por jeta kishte rezervuar plane të tjera për të.

Njohja me bashkëshortin italian ndryshoi rrjedhën e saj, duke e kthyer Italinë në vendin ku do të ndërtonte familjen dhe karrierën. Prej 13 vitesh, çifti merret së bashku me biznesin e restoranteve, ndërsa pasioni për gatimin shqiptar do të sillte një ide të re.

Kështu lindi në Pisa “QofteKing”, dyqani i hapur rreth një vit më parë, që synon t’u prezantojë italianëve shijet autentike shqiptare. Frymëzimi erdhi nga kuzhina e familjes dhe qoftet që nëna e Elonës përgatiste për mbesën e saj çdo të diel, për mëngjes. Për një elbasanase, qoftet në tryezë nuk janë thjesht ushqim, por pjesë e traditës që përcillet brez pas brezi.



Në dyqan mund të gjesh qofte, pilaf, trileçe, sanduiçe dhe produkte të tjera të njohura për shqiptarët. Por ambicia e Elonës shkon përtej Pizës: “QofteKing” është një projekt pilot që synon të zgjerohet së shpejti edhe në qytete të tjera të Italisë.

Paralelisht, ajo ka ndërtuar një eksperiencë dhjetëvjeçare në një sektor krejt tjetër: kateringun luksoz për avionët privatë. Me një laborator të dedikuar, staf kuzhinierësh dhe bashkëpunime me sipërmarrës të njohur, si dhe me Emirates Airëays, Elona ka arritur të sjellë shijet shqiptare edhe në një botë ku cilësia dhe konfidencialiteti janë thelbësore. Mes pjatave të shumëllojshme, udhëtarët vlerësojnë veçanërisht qoftet e Elbasanit dhe byrekët.

Por, përtej biznesit, historia e saj ka edhe një kapitull romantik. Pas 14 vitesh martesë, Elona dhe bashkëshorti italian vendosën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre në Shqipëri, me një dasmë të frymëzuar nga traditat shqiptare.

Sot, çifti po rrit vajzën duke i përcjellë dashurinë për punën dhe vlerat familjare. Një histori që dëshmon se ndonjëherë, për të ndërtuar të ardhmen larg vendlindjes, mjafton të marrësh me vete shijen, kujtimet dhe traditat e shtëpisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!