Çlirohet Rashica dhe Werder Bremen, barazimi konfirmon qëndrimin në Bundesligë

schedule22:24 - 6 Korrik, 2020

schedule 22:24 - 6 Korrik, 2020

Werder Bremen ia del të qëndrojë në Bundesligë. Skuadra e Milot Rashicës, i cili u aktivizua 80 minuta gjatë ndeshjes së sotme, barazoi 2-2 në fushën e Heidenheim dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e më të mirëve në futbollin gjerman.

Ndeshja e parë ishte mbyllur pa gola dhe Werderi ia doli falë golave jashtë fushe. Miqtë e nisën shumë mirë takimin e sotëm. Avantazhi erdhi që në minutën e tretë, falë autogolit të Theuerkauf .

Emocionet ishin ruajtur për në fund dhe vendasit barazuan rezultatin në minutën e 85-të. Tim Kleindienst përfitoi nga një top i kthyer nga traversa dhe realizoi. Heidenheim u hodh në sulm, por golin e gjeti Werderi, që u rikthye në avantazh në minutën e 94-t.

Suedezi Augustinsson qetësoi miqtw me golin e tij, por ndeshja nuk ishte mbyllur ende. Skuadra vendase fitoi një penallti në minutën e 97-të dhe Kleindienst gjeti golin e dytë personal. Përfundimisht 2-2 me Werderin që festoi dhe Heidenheim që duhet të presë një tjetër sezon për të kaluar në Bundesligë.

Heidenheim-Werder Bremen 2-2
(Kleindienst 85′, 90+7′ / Theuerkauf (aut) 3′, Augustinsson 90+4′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!