Rusia po përgatit një kandidate nga radhët e demokratëve e cila do të kandidojë për një parti të tretë, në mënyrë që të përçajë elektoratin liberal amerikan. Është kjo akuza më e fundit e ish-sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton.
Ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton denoncoi faktin se rusët po mbështesin dikë në radhët e partisë demokrate në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Clinton theksoi se Rusia po përgatit këtë kandidate që ajo të garojë për një parti të tretë, në mënyrë që të ndajë votuesit liberal dhe të ndihmojë rizgjedhjen e Donald Trump.
Është e preferuara e rusëve shtoi ajo pa përmendur emrin e kandidates. Por mediat amerikane e kanë identifikuar duke këmbëngulur se bëhet fjalë për deputeten e Hawaii-t, Tulsi Gabard.
Kjo e fundit reagoi duke thënë se këto ishin akuza të poshtra. Madje e cilësoi ish-zonjën e parë si mbretëreshën e shkaktarëve të luftës, e cila tani po organizonte një fushatë për t’i shkatërruar reputacionin./ABC News Albania