Ish-presidenti amerikan Bill Clinton tha se ishte penduar se bindi Ukrainën të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore në vitet 1990. Ai sugjeroi se Rusia nuk do të kishte pushtuar Ukrainën nëse Kievi do të kishte ende armë bërthamore.
“E ndjej si përgjegjësi personale, pasi i binda të heqin dorë nga armët bërthamore. Dhe asnjëri prej tyre nuk beson se Rusia do ta kishte pushtuar vendin nëse Ukraina do të kishte ende armët e saj,” tha Clinton për RTE.
Në janar 1994, Clinton nënshkroi një marrëveshje trepalëshe me Presidentin e atëhershëm rus Boris Yeltsin dhe presidentin ukrainas Leonid Kravchuk, e cila parashikonte transferimin e të gjitha armëve bërthamore në territorin e Ukrainës në Rusi për çmontim, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ishte një përpjekje për të hequr armët që mbetën në territorin e saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Në dhjetor 1994, Ukraina pranoi Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe SHBA, Rusia dhe Britania e Madhe dhanë garanci sigurie për Ukrainën dhe Traktati START I hyri në fuqi, sipas Shtëpisë së Bardhë.
“E dija që presidenti Putin nuk e mbështeti marrëveshjen e bërë nga Presidenti Jelcin për të mos ndërhyrë kurrë në kufijtë territorialë të Ukrainës, një marrëveshje që ai bëri sepse donte që Ukraina të hiqte dorë nga armët e saj bërthamore”, tha Clinton për RTE.
“Presidenti Putin e shkeli dhe fillimisht pushtoi Krimenë. Dhe ndihem keq për këtë sepse Ukraina është një vend shumë i rëndësishëm,” tha ai, duke shtuar “Unë mendoj se ajo që bëri Putin ishte shumë e gabuar.”
/abcnews.al